George Herbert Walker Bush lindi më  12 qershor 1924. Ai ishte presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shërbeu nga viti 1989 deri në vitin 1993.

Para se të bëhej president, ai shërbeu edhe si zëvendëspresident i SHBA-së nga viti 1981 deri në vitin 1989. Bushi ishte anëtar i Partisë Republikane, ndërsa ka pasur edhe disa pozita tjera të larta. Ai ka qenë kongresmen, ambasador dhe drejtor i CIA-s.

Ai ka qenë i njohur si George Bush, por nga viti 2001 emrit të tij është dashur t’i shtohen incialet e atësisë, për ta dalluar nga George W. Bush, i cili është djali i tij i madh dhe i cili u bë presidenti i 43-të i SHBA-së.

Sherbeu si president i SHBA-së për vetëm një mandat, pasi e humbi garën për mandatin e dytë kundër ish-presidentit Bill Clinton.

Bush u bë shef i Partisë Republikane për rajonin e Harrisit të Teksasit në vitin 1963. Në vitin 1966 arriti të bëhet pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shërbeu në dy mandate. Bush shërbeu më pas, edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1971, kryetar i Komitetit Kombëtar të Republikanëve dhe drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në vitin 1976.

Në vitin 1980, ai kishte dështuar të bëhej kandidat i partisë së vet për president, pasi e humbi garën kundër ish-presidentit Ronald Reagan. Por, gjatë kësaj periudhe ai u zgjodh zëvendëspresident i presidentit Reagan dhe shërbeu në këtë pozitë për dy mandate. Më në fund, ai u bë president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1989, pasi fitoi zgjedhjet e vitit 1988, ku për kundër kandidat e kishte demokratin Michael Dukakis.

Gjatë presidencës së tij, ai u përball suksesshëm më shumë çështje të jashtme, në një kohë të vështirë për vendin. Bush u mor me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndërhyri me trupa ushtarake për ta larguar nga pushteti diktatorin e Panamasë, Manuel Noriega. Sidoqoftë, suksesi më i madh i tij në rrafshin ndërkombëtar vlerësohet sulmi ndaj ushtrisë së ish-presidentit irakian, Saddam Hussein, i cili në vitin 1990 kishte pushtuar Kuvajtin.

Kur djali i tij i madh, George W. Bush, u zgjodh president, ai bënte shpesh paraqitje publike, në të shumtën e rasteve për ta mbështetur të birin. Në vitin 2005, ai doli në përkrahje edhe të ish-presidentit Clinton për t’iu ndihmuar njerëzve që ishin goditur nga uragani Katrina. Në vitin 2011, Bush u nderua me Medalje Presidenciale të Lirisë nga ish-presidenti Barack Obama.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: