SHBA- Presidenti Donald Trump ka autorizuar Pentagonin që të armatosë elemenët kurdë të Forcave Demokratike Siriane, një lëvizje që i vendos Shtetet e Bashkuara kundër aleates së NATO-s, Turqisë.

Zëdhënësja e Pentagonit Dana W. White tha të martën se krahu kurd që përbën më shumë se gjysmën e luftëtarëve të Forcave Demokratike Siriane, (SDF) do të armatosej “sipas nevojës për të siguruar një fitore të qartë” ndaj Shtetit Islamik në Raqqa të Sirisë, shkruan “Voa”.

“SDF me ndihmën e mbështetjes amerikane dhe forcave të koalicionit, është e vetmja forcë në terren që mund të marrë me sukses kontrollin e Raqqas në të ardhmen e afërt”, tha zëdhënësja White.

Ankaraja është kundër aleancës së Uashingtonit me forcat kurde të Sirisë që po luftojnë kundër Shtetit Islamik. Turqia e konsideron milicinë kurde të Sirisë, pjesë të SDF-së, të njohur si YPG, si një grup terrorist të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK të shpallur jashtë ligjiti, një grup terrorist që ka luftuar kundër shtetit turk për shumë vjet.

Zonja White tha se Pentagoni “i ka shumë të qarta” shqetësimet e sigurisë së Turqisë dhe rikonfirmoin angazhimin amerikan për “të parandaluar rreziqe të tjera sigurie dhe për të mbrojtur aleatin tonë të NATO-s”.

Pentagoni thotë se Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis pati një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Fikri Isik dhe dy udhëheqësit rikonfirmuan mbështetjen për paqe dhe qendrueshmëriu në Irak dhe Siri.

Kjo lëvizje e Pentagonit parashikon mbështetje amerikane për gjithë Forcën Demokratike Siriane, kurdët e Sirisë (YPG) dhe koalicionin Arab Sirian, që forcat amerikane e kanë mbështetur hapur prej muajsh.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: