Qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, Kharkivi, është vetëm 30 kilometra larg kufirit rus. Qyteti ishte i rrethuar nga trupat ruse për më shumë se gjashtë muaj, duke pësuar dëme të mëdha, por nuk u pushtua kurrë. Tani Rusia po grumbullon edhe një herë trupat përtej kufirit. Raketat godasin qytetin më shpesh dhe Kharkivi po përforcon mbrojtjen. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat nga Kharkivi, të gjithë thonë se janë të përgatitur për një sulm të ri, ndërsa ende vuajnë nga përjetimet e tmerrshme të së kaluarës.

Një ushtar-kukull duket sikur vëzhgon rrugët boshe të Saltivkas, lagje banimi në Kharkiv, e dëmtuar rëndë gjatë rrethimit nga forcat ruse. Llogoret mes trotuareve janë ende të hapura në këtë lagje ku dikur jetonin 45,000 banorë.

Pozicionet e forcave ukrainase janë ende të kamufluara. Deri në shtator, kur rusët u tërhoqën përtej kufirit, vijat e frontit ishin vetëm disa qindra metra larg njera tjetrës.

“Dita më e frikshme ishte kur ishim në bodrum dhe pikat e karburantit filluan të shpërthenin. Njeri është përballë shtëpisë sime. Copëra xhami dhe sendesh të tjera fluturonin gjithandej. Ishte e frikshme”, thotë Alexey Yermack, banor i Saltivkas.

Alexey Yermack është një nga 4000 burrat, gratë dhe fëmijët që jetojnë në Saltivka. Ai thotë se situata ka qenë e qetë së fundmi, por ai ka frikë se Rusia mund të kryejë një sulm tjetër.
“Shqetësohem për fëmijët. Më vjen keq për mbesën dhe nipin tim. Ai është 15 vjeç, ajo është 20. Kam frikë për ta”, vazhdon Alexey.

Kharkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dikur me 1.5 milionë banorë. Forcat ruse e mbajtën të rrethuar nga shkurt deri në shtator, në një përpjekje për ta pushtuar. Pasi nuk arritën ta marrin, u larguan duke e lënë qytetin të rrënuar.

Rreth 500 ndërtesa banimi janë shkatërruar tërësisht”, thotë zëdhënësi i qytetit, Yuriy Sydorenko.

Zoti Sydorenko thotë se edhe 1000 ndërtesa të tjera u goditën nga artileria ruse. Ai shton se rindërtimi do të fillojë pas luftës, pasi ekziston rreziku që gjithçka të shkatërrohet përsëri.

Në javët e fundit, sulmet në Kharkiv janë intensifikuar. Tani forcat ruse po lëshojnë raketa balistike nga Belgorodi, qyteti më i madh i Rusisë në këtë rajon, më pak se 100 kilometra larg.

Një komandant ukrainas, që nuk identifikohet me emrin e vërtetë, thotë se ai dhe të tjerët do të jenë gati ta mbrojnë Ukrainën.

“Pavarësisht nëse armiku kthehet apo jo, personeli ynë është gati t’i godasë”, thotë Ivani, komandanti ukrainas që përdor një emër të rremë për arsye sigurie.

Ai është komandanti i një prej linjave mbrojtëse rreth Kharkivit.

Ushtarët, që ndodhen këtu, nuk e dinë se çfarë i pret më pas.

Oleg Kristopp, një tjetër banor i Saltivkas, thotë se është i qetë dhe ka besim tek forcat ukrainase, ndonëse vuan nga kujtimet e së kaluarës së afërt.

“Në endërr shoh shpërthime të shumta, pastaj zgjohem. Kujtimet janë ende të freskëta”, thotë Oleg Kristopp, banor i Satlivkas.

Zoti Kristopp dhe gruaja e tij Olga, jetojnë në një dhomë pasi qëndruan për tre muaj të strehuar në një stacion metroje së bashku me qindra të tjerë.

“Jemi me fat që dritarja nuk u shkatërrua që të rrimë të paktën në një dhomë”, thotë Olga Kristopp, banore e Saltivkas.

Saltivka është e qetë për momentin. Nënat e reja shëtisin me foshnjat e tyre. Por të gjithë këtu duket se e dinë se gjithçka mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: