Analisti Fitim Zekthi i ftuar në emisionin Open në News 24 ka komentuar debatin e ashpër mes presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke theksuar një pikëpamje të ndryshme mbi situatën.
Sipas Zekthit, Trump e sheh si “viktimë” të madhe Amerikën, jo Ukrainën, dhe nuk e konsideron Rusinë si fajtoren kryesore.
Ai vuri në dukje se rendi botëror është formuar kryesisht nga SHBA pas Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur ndikimin amerikan në krijimin e Bashkimit Evropian dhe lënien e Europës pa një ushtri të fortë.
Zekthi shtoi se Donald Trump vepron në mënyrë të paparashikueshme, një strategji që sipas tij ka kontribuar në krijimin e kësaj situate ndërkombëtare.
Fitim Zekthi: Viktima nuk është Ukraina, por amerikanët, nuk është fajtore Rusia. Këtë thotë Donald Trump. Rendi botëror është konfiguruar kryesisht nga SHBA pas Luftës së Dytë Botërore, në përballje me boshtin e së keqes. BE është krijuar me shtysën e Amerikës. Europa është lënë qëllimisht pa ushtri dhe nuk mund t’i thuash dot Europës sot pse nuk ke ushtri. Donald Trump funksionon mbi paparashikueshmërinë. Kjo e ka sjellë këtë situatë.