Luftëtari shijon më në fund fitoren e parë, një trepikësh jetik i marrë përballë Korabit, në rivalitet të drejtpërdrejtë në garën për mbijetesë. Gjirokastritët i falen këmbëve të Monterës, por mbi të gjitha fatit, pasi dibranët ishin dukshëm ekipi më i mirë në fushë.

“Nëse nuk shënon do e pësosh”, ligji më i vjetër në futboll, u zbatua edhe në këtë takim. Skuadra e Artan Mërgjyshit krijoi volum në lojë, pati raste për shënim, por u ndëshkuan nga një kundërsulm i shpejtë në minutën e 67-ë.

Ashtu si edhe në dy takimet e tjera, Korabi vuajti shumë përpara porte. Sebino Plaku, sulmuesi kryesor i ekipit, shpërdoroi disa mundësi të pastra, mbi të gjitha në minutën e 10-ë, teksa gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Pjesa e parë e takimit u zhvillua me një drejtim. Dibranët shtynë gjithnjë drejt sulmit, por në pasin final nuk ishin të saktë në asnjë moment.

Në pjesën e dytë, trajneri Mërgjyshi si gjithnjë hodhi në fushë Nderim Nexhipin. Impakti i fantazistit ishte i menjëhershëm, teksa ish-futbollisti i Partizanit goditi dhe traversën.

Luftëtari u tregua një skuadër cinike, u mbrojt mirë dhe shfrytëzoi në maksimum kundërsulmet, dhe nga një i tillë ishte edhe goli i fitores me autor Monterën. Festa ishte e ligjshme për gjirokastritët, pasi kjo ishte një nga ato sfida ku fitorja kërkohej me çdo kusht.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: