Ndotja e lumit Fan nga mbetjet që derdhen në rrjedhën e tij nga kompania e pasurimit të bakrit “BERALB” në Fushë-Arrëz është në nivele alarmante, ndaj Përfaqësuesi i Kishës Katolike Frat Adreas Walterman i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Rama, ku i kërkon zgjidhjen e kësaj problematike madhore për komunitetin.
Në një intervistë për News24, Frat Adreas Walterman thotë se lumi Fan është i vdekur, pasi uji i tij nuk mund të përdoret nga banorët as për të ujitur tokat bujqësore, duke shtuar se gjendja ka mbetur e njëjtë prej 18 vitesh.
Ndonëse reagimi pas adresimit të letrës në Kryeministri ishte i menjëhershëm, ku një grup inspektorësh shkuan në zonë dhe gjobitën kompaninë “BERALB” për ndotjen e shkaktuar, Frat Andreas tha se zgjidhja nuk është vetëm ndëshkimi administrativ, por kërkon nga shteti të merren masa në terren për pastrimin e lumit.
Frat Adreas vlerësoi edhe protestën kombëtare që po mbahet prej 2 javësh në Tiranë, duke shtuar se betonizimi i vendit po largon turistët.
Ndër të tjera, prifti gjerman që shërben prej 18 vitesh në Shqipëri i bën thirrje Ministrisë së Mjedisit të marrë masa për mbrojtjen e natyrës, duke theksuar se Shqipëria nuk është mirë të shitet.
