Ndërsa mbeturinat kanë mbuluar zonën, për kalimtarët shumë shqetësuese është era e rëndë që përhapet përreth. Sipas banorëve, situata është përkeqësuar edhe nga tubacionet e ujërave të zeza, të cilat, sipas tyre, derdhen direkt në lumë, ndërsa deri më tani lidhur me këtë problematikë nuk është marrë asnjë masë nga qeveria. Banorët ngrenë gjithashtu shqetësimin se gjatë natës, kamionë të shumtë shkarkojnë mbetje në këtë zonë.
Në fillim të muajit shtator, Bashkia e Tiranës bëri me dije se kishte nisur një aksion për pastrimin e mbetjeve në zonat më problematike të kryeqytetit. Por në këtë fillim tetori, pamjet nga Paskuqani tregojnë se problemi vijon të mbetet i pranishëm. Kjo zonë kërkon ndërhyrje për pastrimin e saj dhe masa konkrete për të parandaluar hedhjen e plehrave, në mënyrë që lumi dhe hapësirat përreth të mos vijojnë të shndërrohen në pika grumbullimi mbetjesh të cilat përveç se ndotin natyrën dhe dëmtojnë ekosistemin janë një problem serioz për shëndetin e banorëve dhe kalimtarëve të zonës.
