ITALI- 44 persona u arrestuan sot gjatë një operacioni të gjerë nga policia italiane, lidhur me lëvizjen e emigrantëve dhe kampet e pritjes së tyre. “Tgcom” raporton se, hetimi i nisur nga prokuroria e Romës çoi në arrestime në Sicili, Lacio dhe Abruco, midis të cilëve gjendet dhe ish-presidenti i Këshillit Komunal të Romes, Mirko Coratti, si dhe anëtarë të tjerë të këtij këshilli.
Të arrestuarit akuzohen për krijimin e një grupi mafioz që drejtonte biznesin e kampeve të pritjeve të emigrantëve, për korrupsion dhe për përvetësim të fondeve publike për të siguruar akomodimin e emigrantëve. Hetimet zbuluan pjesë të rrjetit mafioz edhe zyrtarë publikë, të cilët nëpërmjet aferave korruptive favorizonin një kartel të lidhur me kampet e pritjes së emigrantëve dhe financimet publike, në lidhje me fluksin e emigrantëve. Arrestimet kanë tronditur politikën romane, në të dyja kahet. Në 2 dhjetor të vitit të kaluar, 37 persona të tjerë u arrestuan për të njëjtat akuza.
(m.k/BalkanWeb)