Majlinda Toçi, nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, është nderuar me çmimin prestigjioz “Premio Internazionale ‘Vitaliano Brancati’, Edizione 2026”, një nga vlerësimet më të rëndësishme italiane në fushën e kulturës, të gazetarisë dhe të promovimit të dijes. Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve u zhvillua në kuadër të Sallonit Ndërkombëtar të Librit, në qytetin e Torinos, ndërsa vendimi për t’ia ndarë këtë çmim znj. Toçi, si fituese e edicionit të 11-të qe marrë në mars të këtij viti.
Ky çmim përbën vlerësim të rëndësishëm për kulturën shqiptare dhe për afirmimin ndërkombëtar të institucioneve tona të dijes dhe të trashëgimisë kulturore. Njëkohësisht, çmimi vlerëson angazhimin dhe kontributin e znj. Toçi në promovimin e dijes, të kulturës dhe të dialogut përmes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, si institucion i kujtesës dhe i kulturës kombëtare.
Çmimi iu dorëzua znj. Toçi nga senatori italian Giorgio Merlo, Presidenti i Shoqatës Kulturore “Vitaliano Brancati”, Giovanni Firera, si dhe studiuesi dhe shkrimtari Riccardo Rossotto.
Çmimi i është ndarë znj. Toçi me motivacion: “Për angazhimin në përhapjen e dijes dhe promovimin e kulturës si urë dialogu dhe zhvillimi qytetar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.”
Edicioni i këtij viti mblodhi në Torino figura të rëndësishme nga bota e kulturës dhe e institucioneve publike italiane dhe ndërkombëtare. Mes fituesve të edicionit 2026 ishin edhe Alessandra Sardoni, Licia Mattioli, Enzo Ghigo dhe historiani Gianni Oliva.
Çmimi “Premio Internazionale Vitaliano Brancati” promovon vlerat e gazetarisë, kulturës dhe lirisë së mendimit si instrumente të njohjes, përgjegjësisë qytetare dhe zhvillimit demokratik. Përgjatë viteve, ai ka nderuar figura të rëndësishme të jetës publike italiane dhe ndërkombëtare, duke ruajtur vëmendjen ndaj rolit të informacionit dhe kulturës në shoqërinë bashkëkohore.
