Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, në një intervistë në “News24” foli për shumë çështje të aktualitetit që kanë të bëjnë me pandeminë, ekonominë, por edhe politikën.

Si ish-ministër i PS, Malaj nuk pranoi të komentonte deklaratat e ish-kryeministrit Fatos Nano, por tha se besoj që ai do të ketë një interes tjetër. Duke u kthyer tek aktualiteti politik, ai vuri theksin tek nevoja për të ulur agresivitetin ndërpartiak.

Malaj foli për përqendrim të pushtetit teksa deklaroi se funksionimi më i mirë i shtetit ligjor dhe përdorimi me shumë përgjegjësi edhe personale, por edhe ligjore e çdo qindarke të taksave duhen për të krijuar një shpresë.

Sipas tij, pandemia ka bërë të qartë se ekonomia e të ardhmes duhet të ketë tre sektorë kryesorë: një duhet të jetë ekonomia e gjelbërt, që të mos paguajmë pasojat e ambientit që kemi tani dhe janë edhe fatale për përhapjen e viruseve; ekonomia e dijes që ti punon nga çdo vend dhe çdo treg dhe e treta është mundësia reale e ekonomisë së dijes, digjitalizimi.

Intervista e zotit Nano ngjalli shumë debate…
Unë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj. Unë socialist mbetem, pavarësisht nga shkalla e angazhimit politik, edhe jam krenar që i kam shërbyer vendit tim, një mundësi që mund ta kishin edhe të tjerë, unë e pata dhe besoj se i shërbeva me krenari, dashuri dhe integritet. Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj për të mos bërë komente për intervistën e zotit Nano. Besoj që ai do të ketë një interes tjetër. Kështu që ajo që mendoj tani në radhë të parë është se si të ulim agresivitetin ndërpartiak, si t’i bëjnë fushatat elektorale sa më të vogla, sa më të shkurtra në kohë, këtë periudhë pandemie dhe si të rilindë një shpresë e re në mënyrë që gjallërohet ekonomia. Nëse nuk krijohet shpresë e re nuk gjallërohet ekonomia.

Flasim për një antagonizëm mes një Partie Socialiste dhe Rilindjes, si një ndërhyrje në Partinë Socialiste. Është e vërtetë kjo dikotomi? Ne nuk kemi parë në fakt, janë shumë të rralla rastet ku ata që e konsiderojnë veten si mbrojtës të Partisë Socialiste të kenë dalë kundër Rilindjes. Të gjithë figurat e tjera pavarësisht se sa është folur, sa është pëshpëritur, në publik ose kanë heshtur ose janë rreshtuar.

Nuk është fenomen thjesht dhe vetëm shqiptar. Sigurisht ka njerëz të mrekullueshëm në anëtarësi, mbështetësit, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në pushtetin vendor qendror, është një grusht i vogël individësh, që pavarësisht nga emri Rilindja realisht kanë krijuar shqetësim lidhur me përqendrimin e madh të pushtetit i cili të vret dhe me këto lloj shqetësimesh. Më duket dhe shoku Nano e tha këtë gjë, ka disa kompani që shkojnë nëpër zyrat e qeverisë dhe veprojnë sikur janë ata qeveritarë jo nëpunësit e shtetit. Por ky shqetësim është. Sepse ka studime të mirëfillta, sepse po flasim ku do i gjejmë lekët, nuk do t’i marrim të gjitha borxh sepse do të groposemi, por ka studime edhe në këtë kohë pandemie, njerëzit thonë le të bëhen shpenzime, por le të shpëtojmë jetë njerëzish, rritet korrupsioni 10-15% për paratë publike. Ndërsa investimet në infrastrukturë, ku është fokusuar më shumë kjo pjesë e Rilindjes risku për shpërdoruar paratë është 33%. Pra pjesa e parë që duhet për të krijuar një shpresë është një funksionim më i mirë i shtetit ligjor dhe përdorimi me shumë përgjegjësi edhe personale, por edhe ligjore e çdo qindarke të taksave. Në rast të kundërt pavarësisht nga marketingu që bëhet, pavarësisht se rrugët do të ndërtohen, shkollat do të bëhen, qendrat shëndetësore duhet bërë, të gjitha. Puna është me çfarë shkalle efikasiteti përdoren taksat. Ku ky studim thotë se për vende si Shqipëria me institucione të dobëta, shkalla e shpërdorimit të parasë edhe si efiçencë edhe si korrupsion edhe si kapje shteti është kaq i lartë, është një shqetësim i madh që ndoshta disa qeveritarë nuk e ndjejnë, por do të manifestohet patjetër.

Por a nuk është kundërproduktive për një qeveri një sjellje e tillë. Edhe nga pikëpamja praktike, edhe nga reagimi që do të kesh mbrapsht.

Çdo lider ka këndvështrimin e tij. Liderët përgjithësisht parapëlqejnë të përjetësohen nga investimet fizike, jo ndërmjet lagësisë, demokratizimit të partive politike, në delegimin e përgjithësisë, të vendimmarrjes në mënyrë që biznesi të ketë më pak kosto, lodhje, më pak kapje shteti dhe secili ta ndjejë veten që unë me përgjithësitë e mia, me idetë e mia, me sakrificën time po ta kem fushën të marr risk të investoj apo të punoj, të rregulluar ligjërisht, të deformuar nga konkurrenca abuzive për punësim apo fonde. Gjërat lëvizin, duhet të lëvizin përndryshe…

Por në rastet e tjera kur gjërat përkeqësohen jo për fajin e një qeveria për të thënë të drejtën, vijnë gjëra të tjera në mënyrë objektive. Por ti arrin në një pikë dhe sheh që nga njëra anë nga dy skanera që ke njëri nuk punon dhe nga ana tjetër ne kemi projekte për porte turistike më të mëdha në Mesdhe.

Qytetarët shqiptarë janë fisnikë dhe votuesit shqiptarë janë të mençur. Ata e kuptojnë kur qeveria nuk ka faj dhe kur problemet që i rriten në trajtë papunësie, në trajtë varfërie, në trajtë detyrimi për të braktisur vendin, vijnë për shkak të keqqeverisjes. Nuk është se ka një tendencë të përgjithshme të bësh fajtorë qeverinë për çdo gjë që nuk ecën bie në një vend. Por nëse ka një institucion Kushtetues që është votuar, është besuar, ka bërë një kontratë morale është qeveria. Në qoftë se kjo kontratë morale nuk respektohet, deformohet në implementimin e saj apo një pjesë, disa individë, nuk them të gjithë, janë të korruptuar dhe të kapur, pasojat i paguajnë qytetarët, taksapaguesit.

Ekonomia jonë zoti Malaj përtej arsyeve të brendshme, kufizimeve që vijnë nga brenda për shkak të pandemisë, përtej vuajtjes natyrale që ka vetë. dhe zgjedhjeve mes ekonomive që erdhi si pasojë e pandemisë, ka një mungesë, kufizimi i transporteve, eksporteve…
Diversifikimi gjetja e partnerëve të ndryshme, strukturimi i sektorëve kush preket më shumë nga një krizë dhe kush preket më pak. Ka studime të mirëfillta dhe ka këshilla. Problemi është vullneti politik dhe performanca qeverisëse.

A ka një reagim të shpejtë nga ana e ekonomistëve tanë politikë. Për shembull ka vende ku ky diskutim është bërë shumë shpejt dhe i fortë, vende shumë vitale si Singapori apo vende të tjera që menduan si të rikonstruktonin ekonominë. Ata thanë që disa sektorë duhet të binin dhe të rialokojmë ato sektorë dhe të mendojmë një ekonomi tjetër. A i kemi ne këto mundësi?

Unë besoj se pandemia është një debat që është hapur dhe ka bërë të qartë se ekonomia e të ardhmes duhet të ketë tre sektorë kryesorë. Një duhet të jetë ekonomia e gjelbërt, që të mos paguajmë pasojat e ambientit që kemi tani dhe janë edhe fatale për përhapjen e viruseve. Një duhet të jetë ekonomia e dijes që ti punon nga çdo vend dhe çdo treg dhe e treta është mundësia reale e ekonomisë së dijes, digjitalizimi. Është shpejtësia e internetit, prezenca, duhet të jetë kudo. Ne themi që e kemi në mes të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës por duhet të jetë dhe në vende të tjera.

A e shikoni ju këtë shqetësim të përkthyer në përpjekje?

Ne nuk kemi rrugë tjetër me këtë shkallë të ulët produktiviteti, me këtë shkallë të ulët tregtarë dhe buxhetorë që të mbijetojmë pa bërë strukturime të rëndësishme në ekonomi dhe besoj se do të jetë thelbi i asaj që duhet dhe duhet angazhim që duhet bërë, nuk mund ta tolerosh për një kohë të gjatë, ose do të pranosh varfërinë tënde të përhershme si vend. Duhen reforma më të thella, se sa thjesht të mbajmë të njëjtën strukturë ekonomike. Sot në botë vendet zhvillohen kur kanë institucione të forta. Sapo pashë intervistën e ambasadorit gjerman që tha se investitorët gjerman duhet garanci juridike. Pra ai merr risk për të investuar në një vend me institucione të dobëta, por gjyqësori që vendos mes palëve duhet të jetë patjetër me një kredibilitet maksimal. Prandaj quhet një reformë e rëndësishme. Nuk është puna të ndryshojmë gjyqësorin si gjyqësor. Duhet të ndryshojmë dhe do të përmirësojmë mundësitë që individi shqiptar dhe i huaj në jetën e tij të përditshme, por edhe në nivel biznesi të ketë mundësinë e të drejtës së tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb