FC Malisheva ka bërë një tjetër hap të madh në arenën evropiane, duke e mposhtur skuadrën skoceze Hibernian, me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra kosovare tregoi paraqitje shumë të mirë, duke siguruar një epërsi të rëndësishme para sfidës së kthimit, e cila zhvillohet pas një jave në Skoci.
Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte Kreshnik Uka, i cili realizoi golin e parë në minutën e 21-të, pas asistimit të Arlind Veliut. Sulmuesi i Malishevës ishte vendimtar edhe në fund të takimit, kur në minutën e 90-të asistoi shkëlqyeshëm për Valmir Nafiun, që vulosi fitoren e skuadrës së drejtuar nga Thomas Bërdariç.
Për Malishevën kjo është pjesëmarrja e tretë radhazi në garat evropiane dhe skuadra po vazhdon të dëshmojë rritjen e vazhdueshme të futbollit kosovar në skenën ndërkombëtare. Në raundin e parë kualifikues, Malisheva eliminoi Vllazninë e Shkodrës, me rezultat të përgjithshëm 6:2, ndërsa tani është shumë pranë një tjetër arritjeje historike.
Në rast kualifikimi, Malisheva në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League do të përballet me fituesin e çiftit Bravo (Slloveni) –Shkëndija e Tetovës.
