Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit.

Në një postim në “X” ai tha se mbështet vendimin dhe inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik

“Unë e mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit. Unë inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”, shkroi kreu i qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb