Ndërsa rrugët e kryeqytetit po vlojnë nga dita e tretë e protestës studentore e qytetare, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar deklarata të forta.
Ahmetaj ka zbuluar se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mbyllë një takim urgjent konsultativ me zëvendëskryeministren Belinda Balluku në ambientet e “Vilës së Kuqe”, duke shpërfillur zërat e tjerë brenda mazhorancës, tha ai në emisionin “Çim Peka Live”.
“Duhet ta dini që sot ai është konsultuar me plaçkitësen. Nuk pranon të konsultohet me mendjet racionale të mbetura brenda Partisë Socialiste. Është konsultuar me plaçkitësen te ‘Vila e Kuqe’, verifikojeni”, deklaroi Ahmetaj.
Gjatë fjalës së tij, ish-numri dy i qeverisë u ndal edhe te revolta që ka përfshirë vendin, duke e cilësuar lëvizjen si gjetjen e “shpirtit të popullit” dhe duke paralajmëruar se çdo përpjekje për një mandat të katërt do të shënojë fundin politik të kryeministrit.
“Mandati i katërt i vjedhur do të jetë varrezë politike dhe kam thënë që do të ketë një shpërthim, sepse populli ka qenë në kërkim të një shpirti të vet dhe e ka gjetur.
Sot, kush flet për dëmtim duhet të numërojë vjedhjet e plaçkitëses (Belinda Balluku), drogën që kanë futur me lejen e kreut të organizatës (Edi Rama), tenderat e rrugëve, të ndërtimit. Pse ia hedhin fajin popullit? Ky e vrau politikën për breza.
Do të isha naivi më i madh të besoja se ndonjë nga ish-kolegët e mi… Nuk pres që t’u çojnë një copëz arsye. Unë mendoj sot se të gjithë shqiptarët, gjithçka që ka ndodhur, është një mesazh. Nuk ka paqe në një shtet me në krye kreun e organizatës”, u shpreh ai.
