SHKUP- Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti ka zhvilluar takim me kryetarin e VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, njofton kabineti i Ahmetit. Dy liderët kanë biseduar për ecurinë e formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme.

“Është biseduar për dy çështje të cilat përfshijnë analizën e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor të cilat u vlerësuan si të lira, për dhe demokratike, si dhe kanë analizuar situatën aktuale politike. Dy liderët këmbyen mendime rreth situatës paszgjedhore si dhe për sfidat e ardhshme në këtë drejtim”-thuhet në deklaratën e BDI-së.

Disa nga kërkesat e BDI, janë përdorimi i gjuhës shqipe në të gjithë territorin, zgjatje të mandatit të Prokurorisë Speciale dhe vazhdimin e procesit të integrimit.
VMRO-DPMNE nuk pranon ndryshim të Kushtetutës sa i takon statusit të shqipes dhe as zgjatje të mandatit të Speciales, e cila sipas tyre ka anshmëri politike.
Të dy partitë, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë bërë me dije se negociatat mund të mos sjellin rezultate pozitive.

VMRO-DPMNE ka njoftuar se nuk do të formojnë qeveri me çdo kusht, kurse nga BDI-ja thonë se vazhdon të mbetet i hapur edhe opsioni për qëndrimin e kësaj partie në opozitë. Të dy palët, nuk kanë mohuar as opsionin e zgjedhjeve të reja, në rast të dështimit të gjetjes së një zgjidhje.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: