SHKUP- Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni që do mbahen më 5 qershor, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie qeveritare Bujar Osmani, pak orë para përfundimit të afatit ligjor për paraqitjen e listave me kandidatë për deputetë.

Zëdhënësi i partisë së Ali Ahmetit për portalin e Shkupit Portalb.mk ka thënë se partia e tij nuk do të dorëzojë listë për kandidatë të deputetëve në afatin e paraparë, që kalon sonte në mesnatë, duke shtuar se bisedimet për dalje nga kriza politike vazhdojnë.

Nga VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit ende nuk kanë qëndrim zyrtar. Jozyrtarisht nga partia maqedonase në pushtet flitet se të gjitha opsionet janë të mundshme, kështu që nuk duhet të shpejtohet me prognoza.

Qëndrimi i LSDM-së opozitare, i bërë publik kohë më parë, është se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje dhe së këndejmi nuk do të dorëzojnë listë me kandidatë për deputetë. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev dje tha se qëndrimi i partisë së tij është se zgjedhjet duhet të mbahen atëherë kur do të plotësohen kushtet.

Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar se a do të marrë pjesë në zgjedhje apo jo.

Afati për paraqitjen e listave me kandidatë për deputetë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve përfundon sonte në mesnatë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: