NGA KLODIANA LALA*

TIRANË- Deputeti Mark Frroku, edhe pse prapa hekurave për akuzën e “vrasjes me paramendim, në bashkëpunim”, kryer në Belgjikë në 1999-ën, kërkon të marrë pjesë në aktivitetet politike. Nëpërmjet dy avokatëve të tij, Genci Gjokutaj dhe Saimir Vishaj, kristian demokrati Frroku, i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, me një kërkesë që ta lejojnë të jetë i pranishëm në Komisionet Parlamentare ku bën pjesë, si dhe në seancat parlamentare, që mbahen të enjteve. “Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që Mark Frroku të lejohet për të ushtruar funksionin publik si deputet. Mandatin ia kanë dhënë zgjedhësit dhe, për këtë arsye, për sa kohë që nuk ka një masë sigurie për pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike, duhet të shoqërohet dhe të jetë pjesë në çdo aktivitet. Madje Mark Frroku mund edhe të votojë në seancë plenare”, – tha avokati mbrojtës Saimir Vishaj. Ai sqaroj më tej, se Prokuroria e Përgjithshme ende nuk u ka kthyer përgjigje lidhur me këtë kërkesë të bërë nga ana e tyre. Mark Frroku ndodhet nën masën e “arrestit me burg” prej pasdites së të premtes dhe është izoluar në një nga qelitë e paraburgimit të sigurisë së lartë, Mine Peza (burgu 302) në Tiranë. Por, ndonëse mbi supet e deputetit kristian demokrat rëndojnë akuza të rënda, ai ligjërisht konsiderohet i pafajshëm, pasi akuzat nuk janë të provuara me vendim të formës së prerë. Në këto kushte, thonë avokatët, Mark Frroku duhet të lejohet të ushtrojë funksionin e deputetit, pasi është zgjedhur nga populli.
Përballjet me drejtësinë
Denoncimi publik i bërë nga deputeti Tom Doshi, se kishte zbuluar një komplot për vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi, u hapi rrugë “telasheve” të deputetit Mark Frroku me drejtësinë. Doshi tha se për komplotin e vuri në dijeni Frroku dhe se ishte ky i fundit që e kishte prezantuar me Durim Bamin nga Fushë-Kruja. Kristian demokrati Frroku i mohoi këto fakte, duke deklaruar para prokurorëve se nuk kishte dijeni për asnjë skenar për vrasje deputetësh, çka solli dhe përballjen mes tij dhe Doshit. Përballja para prokurorëve do t’i jepte fund miqësisë së njohur mes Frrokut e Doshit dhe brenda pak ditësh do t’i dërgonte të dy në qelitë e paraburgimit në drejtorinë e policisë së kryeqytetit, pas autorizimit të dhënë nga Kuvendi. Sipas prokurorisë, Doshi në bashkëpunim me Frrokun dhe Durim Bamin, e kishin sajuar të gjithë ngjarjen, me qëllim fillimin e paligjshëm të ndjekjes penale ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Gjykata e Lartë i dërgoi të dy deputetët në arrest shtëpie. Por, problemet për Mark Frrokun nuk përfunduan këtu. Mbi bazën e një kërkese të ardhur nga autoritetet belge, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi sërish autorizim në Kuvend për arrestimin e kristian demokratit, për akuzën e “vrasjes me paramendim, në bashkëpunim”, ndaj Aleksandër Kurtit në 1999-ën në Belgjikë. Gjykata e Lartë, sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, e dërgoi në arrest Mark Frrokun, pikërisht në të njëjtën ditë që Gjykata e Krimeve të Rënda i dha pafajësinë vëllait të Mark Frrokut, Arbenit, i cili akuzohej për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Për këtë të fundit, prokuroria kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm. Mark Frroku ndodhet në të njëjtin paraburgim ku qëndroi për afro 13 muaj i vëllai, Arbeni.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: