TIRANË- Ish-deputeti Mark Frroku ka shpërthyer në seancën e sotme gjyqësore ku avokati i tij ka paraqitur prova për shqyrtim. Frroku deklaroi se është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij janë tendencioze dhe politike.

“Së bashku me familjen kemi punuar me ndershmëri. Nuk jam alien siç më ka bërë prokurori. Jam i pafajshëm, nuk kam lidhje me vrasjen. Akuzat ndaj meje, tendencioze brutale dhe politike”, tha Frroku.
Ai nuk ka ngurruar të akuzojë edhe prokurorinë, që sipas tij është e urdhëruar.

“Jam në burg sepse kështu do Prokuroria e urdhëruar. Prokurorët e dinë se nga kush janë urdhëruar”, deklaroi Frroku.

Ai hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar, që do t’i jepte mundësinë që në fund të procesit të përfitonte ulje të 1/ 3 të dënimit, nëse shpallej fajtor.

Shkak u bënë pretendimet e palës mbrojtëse mbi pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e një sërë aktesh të ndodhura në dosjen e paraqitur për gjykim nga ana e Prokurorisë.

Sipas avokatit Tonin Prendi, gjykata duhet të konstatojë pavlefshmërinë e një akt­-ekspertimi kontabël të pasurisë së ish­deputetit.

Më herët, mbrojtësi ka argumentuar se ekspertja që ka bërë akt-ekspertimin ka qenë e njëanshme, pasi është inspektore në ILDKPI dhe se gjatë përpilimit të akt­ekspertimit ajo nuk ka marrë parasysh disa biznese të regjistruara të familjes Frroku.

Ish-­deputeti Mark Frroku po gjykohet për akuzën e “vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” dhe për “ndërtim të paligjshëm”. Në seancat e kaluara, gjykata ka refuzuar kërkesën e të pandehurit Mark Frroku për ndryshim të masës së sigurisë, për shkak të arsyeve familjare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: