Brazili bie në daljen e parë zyrtare pas eliminimit befasues në Botëror. 5 herë kampionët e Botës pësuan një humbje 2-1 përballë Marokut, surprizës së madhe në Katar. Me një grup jo të plotë, “seleçao” e gjeti veten në dizavantazh që në minutën e 29-të, ku Boufal dërgoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, në minutën e 67-të ishte Casemiro ai që barazoi rezultatin provizorisht. Maroku nuk u tërhoq dhe në minutën e 79-të, Sabri shënoi golin e fitores për ekipin afrikan.

Zyrtarisht pa një trajner, në Brazil kanë filluar të përshpejtojnë negociatat për të gjetur një timonier të ri. Për herë të parë, presidenti i Federatës Braziliane, Ednaldo Rodrigues, konfirmoi se Carlo Ancelotti është kandidati potencial, i shumëdëshiruar nga lojtarët:

“Po, Carlo është i preferuari i lojtarëve. Duket një zgjedhje optimale. Ai gëzon besimin e plotë jo vetëm të lojtarëve, por edhe të tifozëve. Ançeloti respektohet jo vetëm nga lojtarët aktualë në ekip, por edhe nga lojtarët e brezave të kaluar që kanë luajtur me të. Gjithashtu ai gëzon dhe respektin tim të sinqertë për vetë punën e tij, profesionalizimin, cilësinë që gëzon. Ai është një trajner i klasit botëror, që ka fituar shumë dhe kudo, uroj të vijojë të fitojë sërish”, u shpreh numri një i futbollit brazilian, duke konfirmuar atë që flitet prej kohësh në media. Kjo deklaratë e Rodrigues ka pushtuar faqet e para të mediave, i kanë kushtuar rëndësi edhe në Spanjë.

(BalkanWeb)