Në 6 dhe 7 Maj në Tiranë do të organizohet Kongresi Botëror i Ligjit. Për Kryeministrin Edi Rama, kryeqyteti i Shqipërisë nuk është përzgjedhur rastësisht, përkundrazi.
Sipas tij reforma në drejtësi, që thotë se nuk ka qene e lehtë, si dhe transformimi i sistemit të drejtësisë shqiptare, ishe shtysa që solli këtë eveniment në Tiranë.
“Reforma në drejtësi nuk ka qenë një proces i lehtë. Ajo ka kërkuar vullnet politik të hekurt, vendimmarrje të vështira dhe gatishmëri të jashtëzakonshme për ndryshime të thella. Ky proces është bërë i mundur dhe sot e gjithë ditën garantohet nga shumica parlamentare e Partisë Socialiste. Prandaj fakti që Shqipëria bëhet mikpritëse e një platforme të tillë globale për sundimin e ligjit është një motiv krenarie për të gjithë, por posaçërisht për ne, qeverinë e kësaj shumice!”, u shpreh Rama.
Në monologun e tij, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike, përmes marrëveshjes strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.”, tha Rama.
Kryeministri Rama risolli në vëmendje edhe firmosjen e marrëveshjes për prodhimin e mjeteve detare në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit. Sipas Ramës ky investim shumë i konsiderueshëm, është një front i ri punësimi me rreth 400 vende të reja pune të mirëpaguara në fazën e parë.
Këtë të dielë shefi i ekzekutivit opinionet e tij i ndau nga kryeqyteti i Gjermanisë Berlin, ku çeli ekspozitës së tij. Ndëkohë që pas Berlinit do të udhëtojë drejt Armenisë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian.
