Në emisionin ‘Frontline’ në News24 ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti, foli për takimin e qeverisë shqiptare dhe asaj kosovarë , duke u ndalur edhe tek nënshkrimi i marrëveshjeve mes tyre.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Marsela Karapanço, ai tha se të gjitha marrëveshje kanë rëndësinë e tyre dhe se duhet të merren seriozisht.

Po ashtu, ish-ministri Panariti tha se me rëndësi nuk është vetëm nënshkrimi i tyre, duke shtuar se puna ka çaluar tek ndjekja e këtyre marrëveshjeve.

“Marrëveshja kërkon procedura teknike, për të ndjekur çdo hap të finalizimit. Pra marrëveshja kërkon një ndjekje dhe kjo është diferenca me referendumin. Prandaj qeveritë duhet të kenë edhe grupe që ta ndjekin implementimin e marrëveshjes, për të parë se si është ecur”, tha ai.

Hekurudhë të përbashkët?

Panariti: Kurrë nuk e kam kuptuar përse rruga e Kombit nuk përfundoi në Durrës. Ky ka qenë opinion i imi. Kjo do t’i jepte edhe më shumë vlerë. Tani me këtë projekt që është një linjë hekurudhore shpresoj që të përcaktohen elementë teknikë se kush do të jetë modeli më i mirë i kësaj linje hekurudhore. Shpresoj të realizohet sa më parë. Porti i Durrësit do të merrte peshën reale për të qenë kontributor i rëndësishëm zhvillimi i Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë bisedës në studio, gjithashtu ish-ministri i Jashtëm tha se ekipet e Kosovës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në operacionet e kërkim shpëtimit në Shqipëri.

“Në operacione kërkim shpëtimi dhe në periudhën e tërmetit, ekipet e Kosovës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Ndërhyrja dhe ndihma e Kosovës ka qenë jetike dhe këto duhet formalizuar në trajtën e një marrëveshjeje. Lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve merr gjithmonë prioritet, pasi lehtëson furnizimin me mallra…Rëndësi ka edhe bashkëfinancimi në fushën e albanologjisë…Ndaj këto ecin paralelisht dhe është vështirë se kush është më me rëndësi”, u shpreh Panariti.

Propagandë apo projekte reale?

Panariti: Nuk do doja që këto të kishin minimumin e një farsë, mendoj që janë marrëveshje që duhet të merren seriozisht. Ne kemi çaluar pasi nuk bëjmë ndjekje, ne i nënshkruajmë dhe grupet e punës janë të plogësht për t’u mbledhur për të ndjekur avancimin e projekteve dhe të raportohet. Përpara se të nënshkruhen marrëveshjet e radhës të jepet llogari se çfarë është arritur.”, tha ai.

Më tej theksoi se nënshkrimi i marrëveshjeve i operohet edhe shumë faktorëve të tjerë që ndikojnë në zhvillimin e dinamikës së tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb