Të paktën 26 persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror rus ndaj një qendre të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Ukrainën jugore. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi sulmin si “tmerrësisht mizor”, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa persona rezultojnë ende të bllokuar nën rrënoja.

Sulmi ndodhi të hënën në fshatin Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhias, ku sipas kreut rajonal Mykhailo Semikin, u hodhën të paktën nëntë bomba ajrore, me peshë rreth 3 mijë kilogramë secila.

Sipas Zelenskyt, goditja e parë shënjestroi një shkollë lokale që përdorej për shpërndarjen e ndihmave humanitare. Pas bombardimit të parë, kur njerëzit po strehoheshin në zonë, Rusia ndërmori një tjetër sulm ndaj vendit ku ndodheshin civilët.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave në Ukrainë konfirmoi fillimisht 24 viktima, mes tyre dy pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe katër efektivë policie. Më vonë, në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti Zelensky bëri të ditur se numri i të vdekurve kishte shkuar në 26. Ndërkohë, 27 persona u raportuan fillimisht të zhdukur.

Pamjet e publikuara nga autoritetet ukrainase tregojnë një krater të madh në vendin e goditur, një autobus të djegur dhe ndërtesa të shkatërruara. Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet mes rrënojave, por operacioni është ndërprerë disa herë për shkak të sulmeve me dronë rusë në zonë.

“Rusia nuk mund të mos e dinte se banorët që kishin mbetur në Komyshuvakha merrnin ndihma humanitare aty çdo javë”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se sulmi është një tjetër dëshmi se Moska nuk po kërkon uljen e tensioneve.

Ndërkohë, kreu rajonal Mykhailo Semikin e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë, duke konfirmuar se njerëz vijojnë të jenë nën rrënoja. Në të gjithë rajonin e Zaporizhias është shpallur ditë zie për të martën.

Zhvillimi vjen në një kohë kur pritet të rifillojnë bisedimet për paqen mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Abu Dhabi, javën e ardhshme. I dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, bëri të ditur se diskutimet do të përqendrohen te garancitë e sigurisë pas luftës, ulja e tensioneve, ndihmat humanitare dhe hapat e mëtejshëm drejt paqes.

Ndërkohë, negociatorët amerikanë pritet të takohen këtë javë edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Bruksel. Deri më tani nuk pritet ndonjë përparim i madh në negociata, ndërsa sulmet ruse ndaj Ukrainës vijojnë. Moska nuk ka dhënë ende një koment publik për bombardimin e fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb