Policia ka zbuluar ditët e fundit se një nga personat e dyshuar për masakrën e “Don Boskos”, ku nga sulmi me armë në lokalin e të shumëkërkuarit Fatjon Murati mbeti e vrarë banakierja, Mimoza Paja, ka udhëtuar një javë përpara krimit, nga Gjermania në Prishtinë dhe ka hyrë në vendin tonë, në fundjavë duke mos u regjistruar të TIMS.

Sipas hetuesve personi i dyshuar me rekorde të theksuara kriminale e ka bërë këtë lëvizje me qëllim për të fshehur gjurmët dhe përfshirjen në ngjarjen e rëndë. Policia thotë se ka siguruar të dhëna në rrugë konfidenciale, që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve të mundshëm të ngjarjeve.

Grupi i hetimit është fokusuar tek dy emra konkretë, njëri prej të cilëve i ka mbijetuar më herët një atentati, ndërsa tjetri është personazh jo shumë i njohur, por dyshohet të jetë përfshirë në këtë ngjarje për motive hakmarrje. Aktualisht, grupi i hetuesve ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në qarkun e Tiranës, në Fushë Krujë e Durrës dhe po i këqyr me kujdes për të rindërtuar trajektoren e lëvizjeve të autorëve para dhe pas ngjarjes, pasi në këtë mënyrë do të mund të zbulojë se prej nga u nis automjeti për të kryer masakrën. Atentati në Don Bosko dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrje ndaj vrasjeve të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë, Laç e Lezhë, ku në shënjestër ishin njerëzit e Ervis Martinaj. kjo vijon të jetë ende pista më e fortë që ka prokuroria.

Ngjarja u shënua mbrëmjen e të dielës së 12 marsit, kur dy persona të armatosur me kallashnikov, qëlluan me breshëri mbi lokalin në pronësi të Fatjon Muratit në rrugën Anastas Shundi. Nga breshëria e armëve humbi jetën banakierja Mimoza Paja, mbeti e lënduar mbesa e saj 10-vjeçare, u plagos xhaxhai i Fatjon Muratit dhe 5 persona të tjerë. Atentatit i mbijetoi vëllai i Fatjonit, ndërsa ky i fundit i cili do të duhet të ishte në arrest shtëpie u arratis dhe mendohet të jetë larguar nga Shqipëria në Kosovë e prej andej në Turqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb