Me hyrjen në fuqi të masave në pikat e kalimit kufitar të juglindjes duket se më të prekurit janë pikërisht shoferët e mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilët nuk kanë patur kufizime që prej fillimit të pandemisë.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës e po ashtu atë të Qafë-Thanës kërkohet që edhe drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë të plotësojnë një nga kushtet e kërkuara nga Komiteti Teknik ose në të kundërt do të detyrohen të karantinohen, një gjë e tillë ka ndodhur me Eglen Xhelollarin, i cili hyri nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës ditën e sotme. Sipas tij duke mos plotësuar asnjë nga kushtet është detyruar nga autoritet të karantinohet për 14 ditë.

Masat hynë në fuqi mesnatën e së dielës, ndërsa vihet re një rënie e ndjeshme e lëvizjeve në pikat kufitare. Gjatë 24 orëve të fundit në Kapshticë kanë hyrë 1448 dhe kanë dalë 1884 shtetas të huaj dhe shqiptarë. Në Qafë-Thanë, kanë hyrë 1667 dhe kanë dalë 1651 shtetas të huaj dhe shqiptarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb