Në stadiumin “Air Albania” gjithçka është gati për të nisur injeksionin e parë të vaksinës antiCovid të Pfizer dhe BioNTech, ndërsa të parët që do ta marrin janë Shefja e Shërbimit të pavionit të Infektivit, Najada çomo, si dhe mjekët e njohur Tritan Kalo e Pëllumb Pipero.

Deklarata u bë sot në studion e lajmeve në News24 nga Erida Nelaj, përgjegjëse e vaksinimit në ISHP, e cila tha se kanë filluar të vijnë edhe mjekë e infermiere të tjera të spitaleve Covid 1 dhe 2.

Ajo theksoi se stafi që do kryejë vaksinimin është i trajnuar paraprakisht, ndërsa pacientët plotësojnë një formular paraprakisht.

“Kanë filluar të vijnë mjekët dhe infermierët. Një pjesë të vaksinave i kemi sjellë po ruhen në frigorifer në 80 gradë. Sot mund të kryejmë rreth 100 vaksina. Do shohim edhe ditët e tjera, kujtojmë që kemi 60 pika dhe do koordinohemi që të mos krijohet fluks.

Duke qënë se është vaksinë e veçantë ka nevojë për trajnim, që nga ruajtja deri tek hollimi i saj. Kemi mjek që bën anamnezën, një pyetësor që e plotëson vetë pacienti që vaksinohet. Kemi edhe stafet e emergjencës si mbështetje, pra jemi të përgatitur dhe të trajnuar”,- u shpreh Nelaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb