Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë marrëveshjen e tërheqjes nga Bashkimi Evropian (BE) dhe deklaratën politike para krishtlindjeve, deklaroi të dielën kryeministrja britanike, Theresa May, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat në Bruksel, ajo edhe një herë mbrojti marrëveshjen e arritur me BE-në duke e quajtur të vetmen në dispozicion.

Rikujtojmë se më herët gjatë ditës, 27 vendet anëtare të BE-së, miratuan marrëveshjen për tërheqje dhe deklaratën politike mbi marrëdhëniet e ardhshme mes BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Dita e sotme ishte kulminacioni i një procesi të gjatë dhe të vështirë, megjithatë fillimi i një “debati vendimtar kombëtar”, tha May duke qenë e bindur se “Britania ka bërë marrëveshjen më të mirë të mundshme”.

“Opinioni pret që Parlamenti të votojë për marrëveshjen. Pjesa dërmuese e qytetarëve në Britani, dëshirojnë që ne të përqendrohemi tek çështjet të cilat prekin përditshmërinë e tyre”, tha kryeministrja May.

– Votimi i Parlamentit

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve tashmë ndodhen para një momenti shumë turbulent, ku pritet të votojnë mbi marrëveshjen.

Votimi tashmë është debatuar, si rrjedhojë e daljes në opinion të detajeve nga marrëveshja Brexit javën e kaluar, për çka partitë e opozitës, DUP i Irlandës së Veriut dhe disa pjesëtarë të partisë Konservatore të May, përfshirë ish-liderin e partisë, Ian Duncan Smith, thanë se nuk do ta mbështesin marrëveshjen.

Kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn, tha të dielën se partia e tij do ta kundërshtojë marrëveshjen në Parlament.

– May mbron marrëveshjen

Kryeministrja britanike, Theresa May, thotë se përmes marrëveshjes së arritur “do t’i japë vendit një sistem emigracioni të bazuar në aftësi dhe talente, jo të bazuar në prejardhjen e njerëzve”.

Ajo thotë se di t’u japë fund pagesave të mëdha vjetore në adresë të BE-së dhe juridiksionit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Britani të Madhe.

May ka përjashtuar mundësinë e një referendumi të dytë për marrëveshjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb