TIRANË- Komisioni i ekonomisë ka miratuar sot rritjen e akcizës së birrës vendase me 11%, pavarësisht të kundërshtimit që pati ky projektligj nga grupet e interesit dhe biznesi. Maxhoranca ka miratuar projektligjin të pandryshuar, ndërsa në draft parashikohet gjithashtu ulja me 15% e akcizës së birrës së importit.

Më herët pr/ligji është kundërshtuar nga shoqatat e biznesit, LSI dhe PDIU, të cilët kanë argumentuar vendimin e tyre me faktin se rritja e akcizës çon drejt falimentimit prodhuesit e birrës.

SPAHO: RRITJA E AKCIZËS DËMTON BIZNESIN VENDAS
Ndërkohë rritja e akcizës së pijeve vendase, nga komisioni i ekonomisë ka sjellë reagimin e PD-së. Deputeti Edmond Spaho tha se me uljen e akcizës së birrës së importit, favorizohen bizneset pranë kryeministrit.

“Votuat një pr/ligj që u kundërshtua nga grupet e interesit. Miratuat një ligj që do dëmtojë prodhimin vendas. Me uljen e akcizës se birrës se importit favorizohen bizneset pranë kryeministrit”, deklaroi Spaho.

PDIU KUNDËR, IDRIZI: NUK DO TA VOTOJMË PR.LIGJIN
Edhe PDIU është shprehur kundër këtij projektligji. Kreu, Shpëtim Idrizi ka deklaruar për News24 se PDIU nuk do ta votojë draftin dhe se do mbështesë biznesin vendas. “Nuk do ta votojmë rritjen e akcizës së birrës vendase. Ne do mbështesim prodhimin vendas. Ne mbrojmë biznesin prodhues”, ka theksuar Idrizi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb