Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, mori pjesë në takimin e gjashtë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën.

Në këtë takim të thirrur nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Bashkuar të SHBA-ve, Gjeneral Mark Milley , në selinë e NATO-s në Bruksel, ishin të pranishëm përfaqësues të afro 50 vendeve aleate dhe partnere.

Qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i kërkesave të  Ukrainës për kapacitete ushtarake dhe joushtarake të nevojshme për vijimin e reagimit ndaj sulmit të paprovokuar të Rusisë.  Në diskutimet e përfaqësuesve të lartë të shteteve aleate u konfirmua uniteti në mbështetje të Ukrainës.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi dënoi me forcë të ashtuquajturat referendume ruse për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, duke shprehur qëndrimin e Shqipërisë për të mos i njohur kurrë ato.

Ministri Peleshi theksoi  se Shqipëria njeh dhe respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.  Ministri Peleshi përmendi kontributin e deritanishëm të qeverisë shqiptare në mbështetje të Ukrainës dhe deklaroi se po punohet për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare.

Në këtë takim mori pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH Gjeneral brigade Arben Kingji. Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën u mbajt para takimit dy ditor të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb