Në emisionin “Autokton” të autores Anila Ahmataj u trajtua historia tragjike dhe heroike e dëshmorit të Atdheut, Muhamet Gjollesha, një prej figurave më të ndritura të rezistencës antifashiste shqiptare. Dokumentari solli për publikun jetën, sakrificën dhe fundin e dhimbshëm të një të riu që zgjodhi të jetonte për lirinë e vendit të tij dhe jo për veten.
I lindur në Lazaratin krenar, Muhamet Gjollesha u rrit mes vështirësive të kohës, por me ndjenja të forta atdhedashurie dhe me një shpirt rebel ndaj padrejtësisë. Që në moshë të re ai iu bashkua lëvizjes antifashiste, duke u kthyer në një nga të rinjtë më aktivë dhe më të vendosur të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve fashistë.
Në dokumentar u sollën dëshmi prekëse mbi aktivitetin e tij patriotik, organizimet e fshehta, takimet me bashkëluftëtarët dhe vendosmërinë për të mos u përkulur përballë terrorit të kohës. Një moment tepër emocionues ishte rrëfimi mbi fotografinë që Muhameti i kishte dhuruar një shoku të afërt, ku kishte shkruar fjalët që sot tingëllojnë si amaneti i jetës së tij:
“Mbaje shok këtë fotografi, mbasi na sot jemi hedhur në fushën e veprimit… Nuk mund ta kemi jetën me pekule, por si veprim, aksion për të shenjtën liri.”
Emisioni “Autokton” ndaloi gjatë edhe tek fundi tragjik i dëshmorit. Muhamet Gjollesha u arrestua nga forcat fashiste dhe, megjithë dhunën e ushtruar ndaj tij, nuk tradhtoi kurrë shokët dhe idealin për të cilin luftonte. Pushtuesit vendosën ta ekzekutonin publikisht në Tiranë, pranë Pazari të Ri, bashkë me Heroin e Popullit Shyqyri Ishmi, me synimin për të mbjellë frikë tek populli shqiptar.
Trupi i Muhamet Gjolleshës qëndroi i varur për 24 orë para syve të njerëzve, në një nga skenat më të dhimbshme të asaj kohe. Por ajo që pushtuesit menduan se do të ishte fundi i frymës së rezistencës, u kthye në simbol force, krenarie dhe frymëzimi për shqiptarët. Ai u nda nga jeta në moshë të re, por mbeti përgjithmonë i pavdekshëm në kujtesën e kombit.
Dokumentari i autores Anila Ahmataj solli jo vetëm historinë e një dëshmori, por edhe mesazhin se liria e Shqipërisë është ndërtuar mbi gjakun dhe sakrificën e bijve më të mirë të këtij vendi. Figura e Muhamet Gjolleshës vazhdon të jetojë sot në kujtesën historike, në vendlindjen e tij Lazarat, në emrin e shkollës së fshatit dhe në zemrat e shqiptarëve që nuk harrojnë kurrë martirët e lirisë.
