Gazetarja Klodiana Lala rrëfeu në rubrikën “Opinion”, në News24, përjetimet rrëqethëse të sot një viti më parë, kur mëngjesi e gjeti Shqipërinë nën rrënoja, pas tërmetit tragjik me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që goditi vendin në orën 03:56 të mëngjesit.

E ftuar në studio, gazetarja Lala, që ka ndjekur nga afër zhvillimet dramatike nga Durrësi dhe Thumana, të cilat ishin dy zonat më të goditura nga tërmeti, risolli në kujtesë disa nga çastet më tronditëse të 26 nëntorit 2019.

“Një ditë pas tërmetit kam shkuar në Thumanë, ku pamja ishte dramatike. Pati një lëkundje tjetër shumë të fortë, ku gjithçka u ndërpre, të gjithë u traumatizuan dhe prisnin nga momenti në moment që gjithçka të shembej. Gjithkush aty përpiqej të bënte më të mirën. Për fat të keq, Shqipëria humbi 51 qytetarë të saj. Katër ditët e operacioneve të kërkim-shpëtimit ishin ditë rraskapitëse. Forcat tona kishin shumë pak mjete për të ndërhyrë, por përkushtimi i tyre ishte maksimal. Ardhja e forcave nga vendet e tjera solli një vrull të ri ë mënyrën si u punua. Forcat punuan për 11 orë për nxjerrjen e Diena Karranxhës, e cila doli e gjallë, por humbu jetën më vonë në spital. Ajo pati dramën, se mbajti të bijën të vdekur në gjirin e saj për plot 8 orë dhe nuk arriti dot të mbijetonte as vetë. Operacioni ishte i vështirë edhe në Thumanë, se pallatet kishin rënë në pjesën e përparme dhe ishte rreziku të shembeshin. Kujtoj dhe rastin e Ramë Lalës, i vetmi i mbijetuar i kësaj familje, ku operacioni ishte shumë i vështirë. Ishte fat i madh i tij që u mbështet pas muri, nga lavatriçja, që të dilte gjallë. Në momentin kur u nxor ajo “poshtë meje është motra”. Unë i dëgjova këto fjalë të tij, edhe pse motra e tij në fakt kishte vdekur”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb