Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se politika e vjetër dhe hegjemoniste e Beogradit është duke krijuar tensione në veri të Kosovës, duke minuar vlerat e bashkëjetesës ndëretnike dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal.

Në një postim në Facebook, ai tha se dialogu është e vetmja rrugë që normalizon marrëdhëniet midis dy vendeve dhe përshpejton integrimin evropian.

Meta u shpreh se PL-ja mbështet fuqimisht dialogun Kosovë-Serbi dhe KFOR, teksa shtoi se kjo duhet bërë në interes të qytetarëve.

“Kemi mbështetur dhe do mbështesim fuqimisht institucionet legjitime të Kosovës. Po kështu mbështesim fuqimisht KFOR-in dhe gjithë institucionet ndërkombëtare që janë atje. Apelojmë për dialogun si të vetmen rrugë, jo vetëm të normalizimit të situatës në interes të gjithë qytetarëve, por edhe për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim finale njohjen reciproke dhe përshpejtimin e integrimin evropian”, u shpreh Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: