Pjesa e pestë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet e gjithë korrespodenca ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së.

Lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçinit, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranë pranë ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin.

Ndodhet edhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga Ramiz Alia, (ku merrnin pjesë: Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, si dhe të ftuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino), ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dokumenti ‘Tepër Sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, lidhur me kërkesat e bëra nga ana e Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit, Feçor Shehut e Llambi Peçinit, për faljen e jetës…!

Tepër Sekret
Proces-verbal

I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ditën e Premte, në orën 9.00

Në mbledhje merrnin pjesë shokët: Ramiz Alia (Kryetar), Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, (Nënkryetarë), Sihat Tozaj (Sekretar), Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, (Antarë). Mungon për arsye shëndetësore shoqja Lumturi Rexha (Antare). Janë ftuar të marrin pjesë shokët Aranit Cela (Kryetar i Gjykatës së Lartë), dhe Rrapi Mino (Prokuror i Përgjithshëm).

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë nga ana e revizionistëve sovjetikë, u ndërmor një punë minuese kundër udhëheqjes së Partisë. Kjo punë minuese, nuk u bë në Kongresin e Partisë pasi ishte e vështirë të bëhej atje, por u bë në Konferencën e Tiranës. Pse?!

Sepse Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë për Tiranën, ishte Fiqrete Shehu, Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme ishte Feçor Shehu, Ministër i Punëve të Brendshme ishte Kadri Hazbiu, i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë në konferencë ishte Beqir Balluku, etj.

Agjenturat jugosllave dhe sovjetike, siç doli më pas dhe nga gjyqi, vepruan direkt (gjë që ne nuk e dinim më parë) me qëllim që të ngrinin Konferencën e Partisë së Tiranës, kundër vijës së Partisë, që t’i impononin udhëheqjes atë që udhëheqja po kundërshtonte. D.m.th., atë që udhëheqja jonë po u kundërshtonte sovjetikëve, këta deshën t’ja impononin gjoja si një kërkesë të bazës.

Ata që e kanë jetuar atë kohë, e mbajnë mënd mirë që Konferencën e Tiranës disa nga kërkesat ishin: të rishikohej vija e qëndrimit zyrtar ndaj Jugosllavisë, të rishikohej çështja e Koci Xoxes, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut, etj., dhe të atakohej udhëheqja e Partisë për një vijë të ngurtë e të rreptë sektare, etj., etj.

Pra ata, kërkonin një farë demokratizimi që në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një liberalizëm e revizionizëm, siç ishte vija e revizionizmit në ato vite.

Ishte komploti i parë në Konferencën e Partisë së Tiranës ku këta agjentë për të cilët po flasim, u hodhën në aktivitet armiqësor, por me shumë kujdes. Fiqrete Shehu, deponoi në gjyq, në mënyrë fare të hapur, se si e organizuan këtë veprimtari.

Kështu jugosllavët, kishin nxitur veçanërisht grupin e Dali Ndreut, Hulusi Spahiut, Liri Gegës, të cilët ishin më agresivët në këto sulme, e që dolën më hapur.

Po ashtu hapur dolën, dhe: Iljaz Ahmeti, Veip Demi, Vandush Vinçani, Njazi Jaho, etj. Fiqrete Shehu, së bashku me Beqir Ballukun, që ishin drejtuesit e kësaj konference, i lanë të lira të tëra këto diskutime, sepse siç doli dhe në gjyq, Feçor Shehu ia ka transmetuar Fiqretit direktivën e jugosllavëve për këtë qëllim. Mirëpo ç’ndodhi?!

Panë që në Konferencën e Tiranës, po shkohej më larg se parashikimi i tyre, se disa nga këta armiq u entuziazmuan dhe shkuan më tepër se ç’duhej. Kështu filloi që të bjerë një erë e hapur se këtu kemi të bëjmë me një punë armiqësore dhe nuk ishin këto kërkesa “demagogjike” të pranueshme që mund t’i diskutonin.

Të gjendur para kësaj vështirësie, dhe me qëllim që të mos i kundërviheshin vetë ata, thirrën që të vijë shoku Enver.

Dihet që shoku Enver, vajti dhe e demaskoi, duke e shpartalluar në të njëjtën kohë qëllimin armiqësor të këtij komploti. Dhe komploti u demaskua së bashku me disa elementë armiq që u zbuluan në këtë konferencë. Por në fakt këta gjarpërinj për të cilët po flasim, ditën që t’i mbledhin këmbët e të fshiheshin.

Megjithëse më duket se në gjyqin e Foni Qirkos, doli që këto çështje ishin diskutuar me Beqir Ballukun dhe Kiço Ngjelën. Ndërsa të dhënat përkatëse u futën në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe nuk ju dhanë Partisë. Me një fjalë këta, morën udhëzime që të ruajnë shokët e tyre, armiqtë që u gjykuan tani. Po si mund ta bënin ata këtë?!

Specifika e këtij grupi ishte se këta, kishin në dorë edhe arrën, edhe gurin. Gjithashtu, kishin në dorë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku manipulonin materialet e ndryshme për të fshehur çdo lloj gjurme të mundshme dyshimi.

Dhe në fakt këto gjurmë në vitin 1956, ata i fshehën. Fshehën gjurmët e Mehmet Shehut që ishte në krye të këtij komploti, fshehën gjurmët e Beqir Ballukut që ishte i deleguari i Komitetit Qendror, fshehën gjurmët e Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, etj.

Fiqrete Shehu nuk fshihej dot pasi ajo, ishte Sekretare e Partisë për Tiranën, por ajo u hoq nga ai post gjoja si viktimë e një veprimtarie që ishte bërë pa dijeninë e saj.

Ju tashmë e dini se Komiteti Qendror i Partisë në atë kohë, duke e konsideruar mungesë vigjilence një veprim të tillë, e shkarkoi nga funksioni si Sekretare e Parë e Partisë për Tiranën, i vuri një vërejtje në kartën e regjistrimit, dhe nga anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, e ktheu në kandidate të Komitetit Qendror.

Kjo ishte masa disiplinore, që u mor për të. Por tani rezulton që Fiqreti, ishte në dijeni të plotë të kësaj veprimtarie, gjë që ju fsheh Komitetit Qendror të Partisë në atë kohë. Pra kjo ishte si të thuash tentativa e parë e organizuar në mënyrë kolektive e këtij grupi për të atakuar Partinë.

Mirëpo tentativa e tyre, dështoi. Pas kësaj filluan që të duken gjurmët e disa elementëve armiq siç ishte, çështja e Panajot Plakut, çështja e Dali Ndreut dhe Liri Gegës, etj.

Në këtë gjyq, kanë dalë që këta banditë atëherë kanë marrë masa që këta ti arratisnin jashtë. Patën sukses me Panajot Plakun, por dështuan me Dali Ndreun dhe Liri Gegën. Megjithatë sërish i fshehën gjurmët e tyre dhe vazhduan veprimtarinë kundër Partisë. Po të ndjekim rrjedhën e ngjarjeve, do të vëmë re që këta armiq, në momente kyçe të Partisë kanë dalë kundër saj.

Në gjyq u vërtetua plotësisht se në vitin 1960, kur Mehmet Shehu ka qenë në Moskë i sëmurë, kohë në të cilën bëhej Mbledhja e Bukureshtit, Kosigini ka zhvilluar një bisedë me Mehmet Shehun ku i ka ngarkuar me detyrë që të vijë në Shqipëri, për të korigjuar qëndrimin që po mbante Hysni Kapo, në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë në Bukuresht.

Sepse sipas tyre qëndrimi që po mbante Partia jonë, ishte një qëndrim anti-sovjetik dhe për këtë gjë duhet të kthehej timoni. Për këtë qëllim, Mehmet Shehu, është nisur me urgjencë nga Moska për në Tiranë. Kjo, u vërtetua plotësisht në gjyq, dhe këtë e pohoi edhe Nesti Nase, i cili ka qenë prezent atje. Nesti Nase, ishte agjent i sovjetikëve dhe ata, flisnin hapur me të.

Mbi ç’baza ishte bërë ai agjent i sovjetikëve këtë Nesti Nase, nuk e zbuloi por ai pranoi se me sovjetikët kishte intimitet të madh, madje me Andropovin, Poljanskin, Pospjellovin, Kozllovin, me të cilët hante dhe pinte vazhdimisht. Pra ai tregoi, se mund të kishte me ta edhe shumë gjëra të tjera. Dhe është e padiskutueshme që në kushte të tilla ai, është kompromentuar.

SHOKU ARANIT ÇELA: Ai, pranonte se ishte njeri i tyre, por nuk shpjegonte se si u rekrutua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Vetë fakti që ai ka vepruar në këtë mënyrë, e vërteton çdo gjë. Në të njëjtën kohë ai, pranon se sovjetikët i thanë që Mehmet Shehun e dërguan në Shqipëri, për këtë qëllim dhe se çfarë duhet të bënte ai. Ai, pranoi se me sovjetikët ka folur hapur kundër udhëheqjes sonë dhe se ata, flisnin me të po në të njëjtën mënyrë.

Pra edhe në vitin 1960, në këtë kohë kritike për politikën e Partisë dhe fatet e socializmit në Shqipëri, shikojmë se Mehmet Shehu vihet në lëvizje. Por ç’ndodhi më pas?! Mehmet Shehu, vjen në Shqipëri por nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me Liri Belishovën, nuk e dinte se Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, e kishte kritikuar rëndë Liri Belishovën, sepse në Kinë ajo kishte mbajtur qëndrim të kundërt me vijën e Partisë.

Mehmet Shehu, sapo erdhi këtu u informua, tërhoqi këmbët dhe nuk e zbatoi dot detyrën që i kishin ngarkuar sovjetikët. Pse?! Se po të dilte Mehmet Shehu dhe të thoshte: “Çpo bëjmë ne në Bukuresht, pse nxitohemi?!”, ky do ta pësonte si Liri Belishova.

SHOKU RITA MARKO: Dhe Liri Belishova ishte kritikuar, i ishin dërguar letrat.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, shoku Enver i kishte dërguar dy letra Liri Belishovës kur ajo ishte jashtë, ku i thoshte se ajo po devijonte e se duhet që të kthehej për në Shqipëri. Kështu Mehmet Shehu, mblodhi këmbët dhe i la punët që të shkojnë në rrugën e vet.

Duhet thënë se këta banditë, i kanë favorizuar dhe situatat e krijuara së bashku me koinçidencat. Kështu për shembull, nëse ne në mënyrë parimore mbajtëm qëndrim ndaj Bashkimit Sovjetik në vitin 1960, kjo gjë ju shkonte për shtat jugosllavëve. Pse?!

Sepse mendonin për Shqipërinë se duke u shkëputur nga Bashkimi Sovjetik, do t’ju krijohej një mundësi më e madhe për ta futur atë nën sqetull. Shkëputja e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, ju interesonte dhe amerikanëve sepse do të thoshte largimin e sovjetikëve nga deti Adriatik dhe Jon, gjë që ishte në interes strategjik të amerikanëve.

Ja pra, në këtë kuptim koincidonte politika e drejtë e Partisë sonë, me interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Jugosllavisë. Por politika jonë, është nisur dhe është bërë jo për interesat e amerikanëve, por për të ruajtur interesat e Shqipërisë, interesat e socializmit dhe pavarësisë së vendit tonë.

Jo vetëm atëherë por edhe sot, pavarësia e Shqipërisë, i intereson të dyja palëve pasi asnjëri krah nuk do që Shqipëria të bëhet bazë e amerikanëve apo sovjetikëve, apo dhe e ndonjë shteti tjetër. Koincidenca të tilla, ndodhin dhe në politikë. Kjo, e lehtësoi barrën e Mehmet Shehut, pasi duke lënë në një anë sovjetikët, si dhe duke mos ua plotësuar dëshirën atyre ai, u hoq si i vendosur në rrugën e Partisë.

Por kështu ai, plotësonte dëshirën e amerikanëve dhe të jugosllavëve. Prandaj ai, e orientoi të tërë bandën e tij në këtë vijë. Prandaj kjo, është një nga shkaqet që e ka vështirësuar zbulimin e tyre, që në këtë kohë kur Partia jonë luftonte heroikisht kundër revizionizmit. Këta, u “bashkuan” me vijën e Partisë, dhe dilnin me flamurin e anti-revizionizmit.

Pasi goditjes së Koço Tashkos, Liri Belishovës, e Maqo Çomos, shikojmë se veprimtaria e tyre për një kohë të gjatë, të paktën siç na del dhe nga dokumentet e administruara në gjyq, është shumë më e rezervuar. Por vitet kalojnë.

Nuk ka dyshim që as amerikanët, as sovjetikët, dhe as jugosllavët, nuk duan që Shqipëria të vazhdojë rrugën e socializmit, rrugën e pavarësisë, rrugën e saj që të luftojë kundër amerikanëve, kundër sovjetikëve, por edhe kundër jugosllavëve.

Plani i Josip Broz Titos, ka qenë që Shqipërinë ta përfshinte brenda Federatës së Jugosllavisë. Dhe ai fillon që të veprojë, veçanërisht pas vitit 1968, pasi u zhvilluan demonstratat e mëdha të Kosovës.

Pas këtyre demonstratave Tito, u detyrua ti japë disa të drejta Kosovës, midis të tjerave të krijojë Universitetin e Prishtinës, të njohë të drejtën e flamurit, u demaskua Aleksandër Rankovici, etj.

Në këtë kohë, lindi ideja tjetër titiste që Kosova të bëhej urë bashkimi me Shqipërinë. Ai, i justifikonte këto se ishte gjoja për marrdhënie të mira me Shqipërinë, por qëllimi i tij kryesor ishte që Kosova të shërbente si urë për të gllabëruar Shqipërinë. Dhe në atë periudhë, nëse ju kujtohet, filluan që të intensifikohen marrëdhëniet dypalëshe.

Në vitin 1968, kur u festua 500 vjetori i Gjergj Kastriot Skënderbeut, erdhi delegacioni i parë kosovar, pastaj filluan që të vijnë grupe njerëzish, grupe nga universiteti, por atje shkuan dhe grupet tona, shkuan dhe pedagogë të universitetit, etj.

Gjatë kësaj periudhe titizmi, filloi që të intensifikojë planet e tij kundër Shqipërisë e bashkë me të, filluan njëkohësisht që të intensifikojnë punën e tyre dhe agjencitë e tjera të spiunazhit.

Në këtë kohë, fillon që të lëvizë dhe grupi i Mehmet Shehut. Filloi Todi Lubonja me Fadil Paçramin, në planin ideologjik. Jemi në vitet 1972-1973.

Filloi Beqir Balluku së bashku me grupin e tij, në planin ushtarak po në vitet 1973-1974, dhe grupi i Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit, në planin ekonomik. Kjo periudhë, koinçidon me faktin që shoku Enver, ishte i sëmurë. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: