“Roli dhe Detyrat e Nëpunësit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale pranë Autoriteteve Kompetente”, u trajtua në një takim organizuar nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me fokus zbatimin e ligjit të ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Gjatë takimit ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe autoriteteve ligjzbatuese që ushtrojnë funksione në fushën e parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale, si edhe garantimit të sigurisë publike, u diskutua mbi detyrimet që burojnë nga ligji i ri, veçanërisht forcimi i rolit të Nëpunësit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale si një element kyç për garantimin e sigurisë dhe ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave personale nga autoritetet kompetente.

Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se mbrojtja e të dhënave personale duhet të konsiderohet një standard demokratik dhe jo një pengesë për institucionet ligjzbatuese.

“Autoritetet ligjzbatuese duhet të përpunojnë të dhënat personale vetëm mbi bazën e ligjit dhe proporcionalitetit. Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale forcon garancitë për të drejtat e qytetarëve dhe vendos standarde më të larta përgjegjshmërie për institucionet që administrojnë këto të dhëna,” u shpreh Dervishi.

Ai kërkoi gjithashtu rritje të masave të sigurisë dhe investime në teknologji të sigurta, duke nënvizuar rëndësinë e besimit publik tek institucionet.

“Zbatimi i ligjit kërkon investim në teknologji të sigurta dhe rritje të kapaciteteve profesionale. Balanca mes sigurisë publike dhe mbrojtjes së të dhënave personale është thelbësore në një shtet demokratik dhe ndikon drejtpërdrejt në forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet,” deklaroi Komisioneri.

Aktiviteti u vlerësua si një hap i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë publike.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb