Pas rreth 4 orësh tubim dhe marshim në rrugët e Tiranës, është mbyllur protesta e radhës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Organizatorët deklaruan se mobilizimi do të vijojë edhe ditën e nesërme, me të njëjtin skenar dhe të njëjtën kërkesë të pandryshuar.
Me thirrjet “Nesër më shumë”, protestuesit u shpërndanë nga sheshi, ndërsa theksuan se do të rikthehen sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Protesta e sotme shënoi ditën e 59-të të tubimeve, gjatë të cilave qytetarët kanë kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që sipas tyre do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
