Pas mbylljes së Akademisë Albanologjike dhe kalimit të instituteve nën çadrën e Akademisë së Shkencave, po ndryshon edhe statuti i kësaj të fundit në disa pika që kanë të bëjnë me drejtimin e instituteve nën ngrehinën e re.
Ndërsa shkrirja u bë zyrtarisht me 1 janar me nisjen e vitit të ri, në datën 4 janar është bërë një propozim statuti që po diskutohet në asamblenë e Akademisë.

Institutet vijnë nga ASA në ASh me kërkuesit shkencorë dhe drejtuesit, por sipas statutit të propozuar, “Zgjedhjet e drejtuesve të instituteve dhe të qendrave kërkimore- shkencore sipas këtij statuti bëhen në fund të vitit 2024. Këshillat shkencorë të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja dhe drejtorët caktohen nga Kryesia e AShSh-së. Anëtarët e zgjedhur të këshillave shkencorë të deritanishëm vazhdojnë të jenë anëtarë të këshillave shkencorë përkatës”.

Kjo pikë interpretohet si zgjerim i kompetencave të kryesisë e kryetarit të Akademisë.

“Drejtuesi i institutit / qendrës duhet të ketë të paktën kategorinë Mjeshtër kërkimesh. Ai zgjidhet / emërohet për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje ose riemërimi vetëm një herë. Drejtuesi i institutit është përfaqësuesi ligjor i tij dhe drejton këshillin shkencor” thuhet në statutin e ri.

  • foto galeri
  • foto galeri

Po aq, shtohet se “Zgjedhja e drejtorëve të instituteve bëhet me votim të drejtpërdrejtë e të fshehtë nga trupa zgjedhore e përbërë nga punonjësit kërkimorë- shkencorë e anëtarët e komisionit të përhershëm përkatës. 5 Procedura me të hollësishme përcaktohen me nënakt të veçantë. Kandidati i zgjedhur emërohet nga Kryesia e ASHSH. Për qendrat, si rregull, drejtuesi zgjidhet nga Kryesia e ASHSH, me propozim të bordit shkencor të qendrës. Për rastin kur qendrat që kanë këshill shkencor të përbashkët me një institut/qendër tjetër, zgjedhja bëhet si për drejtuesit e instituteve”.

Po aq shqetësim duket se ngre në mesin e kërkuesve shkencorë, edhe Bordi i drejtorëve, që sipas statutit të ri të propozuar, është organi kryesor për koordinimin e harmonizimin e veprimtarisë së instituteve në zbatim të programit e të strategjisë së kërkimit shkencor të ASHSH dhe të instituteve të rrjetit të saj; veçanërisht për menaxhimin e buxhetit. Bordi ngrihet e funksionon në bazë të nenit 50 të këtij Statuti dhe përbëhet nga drejtuesit e instituteve, të qendrave të përhershme dhe të njësive të përkohshme, me afat dyvjeçar; si dhe nga kryetarët e komisioneve të përhershme gjegjëse të ASHSH. Kryetari i ASHSH drejton bordin e drejtorëve, i cili mblidhet të paktën një herë në dy muaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb