Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti kundërshtarin e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ish-presidentin Donald Trump, “fëmijë gjashtë vjeçar” në fjalimin e tij në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve, ndërsa protestuesit pro-palestinezë u mblodhën jashtë ndërtesës.

Shumë të ftuar, gazetarë dhe personazhe të famshëm, mbërritën në hotelin Hilton në Uashington, teksa rreth 100 protestues u mblodhën pranë hyrjes së tij, me brohoritje “turp për ty”.

Në brendësi të ndërtesës, nuk u përmend lufta midis Izraelit dhe Hamasit, por u bënë komente të ashpra kundër presidentit amerikan, të cilat këtë herë kishin të bënin me moshën e Biden dhe rënien e tij në shkallët e avionit presidencial.

Këtë vit ngjarja u prezantua nga komediani Colin Jost, shkrimtar dhe aktor i spektaklit të njohur Saturday Night Live.

“Dua të theksoj se është ora 22:00 dhe Joe është ende zgjuar, ndërsa Donald Trump e ka kaluar javën duke rënë në gjumë në gjykatë çdo mëngjes,” komentoi komediani, duke iu referuar gjyqit që po zhvillohet në New York me ish-presidentin republikan të akuzuar.
Kur Biden mori fjalën, ai tha se në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, “Unë jam një i rritur që kam si kundërshtar një fëmijë gjashtëvjeçar”.

Demonstrata pro-palestineze

Jashtë sallës, një demonstratë u zhvillua para hotelit, ndërsa protestuesit varën një flamur palestinez të gjatë një metër nga kati i fundit i tij. Të tjerë ishin mbledhur në katin e parë duke mbajtur pankarta ose altoparlantë.

Darka vjetore e Shoqatës së Korrespondentëve vjen pasi një lëvizje solidariteti me palestinezët në Rripin e Gazës zgjerohet në universitetet amerikane.

Një nga grupet që organizoi protestën përpara Hilton, Code Pink, tha se donte të “ndalonte” darkën për të protestuar “për bashkëpunimin e administratës Biden në shënjestrimin dhe vrasjen e gazetarëve palestinezë nga ushtria izraelite”.

Prej muajsh, pothuajse çdo fjalim i presidentit amerikan është ndjekur nga protestues që protestojnë për mbështetjen e SHBA-së për Izraelin dhe bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Gazetarët palestinezë u kishin kërkuar gjithashtu kolegëve të tyre amerikanë në një letër të hapur që të bojkotojnë darkën e Shoqatës së Korrespondentëve.

“Ju keni një përgjegjësi të veçantë për t’i thënë të vërtetën pushtetit dhe për të mbështetur etikën gazetareske. Është e papranueshme të heshtësh, duke pasur frikë për karrierën tënde, ndërkohë që gazetarët në Gaza janë ende të arrestuar, torturuar dhe vrarë për kryerjen e punës së tyre”, theksojnë në letër rreth njëzet gazetarë palestinezë. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me qendër në Nju Jork, të paktën 97 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, duke përfshirë 92 palestinezë. Të paktën 16 të tjerë janë plagosur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb