LEZHË- Një përplasje mes Spitalit Rajonal të Lezhës dhe Policisë së këtij rrethi pas vdekjes së një pushuesi. Një 62-vjeçar është mbytur sot në bregdetin e Shëngjinit në Lezhë, ndërsa policia tha se u nxor i gjallë nga deti dhe ndërroi jetë në spital por kjo gjë është mohuar nga mjekët.

Sipas Spitalit të Lezhës, 62-vjeçari E.Jakxhiu ka mbërritur pa shenja jetë në spital. Këtë fakt sipas tyre e tregon edhe kartela e të ndjerit.

“Spitali Rajonal Lezhë, përgënjeshtron informacionin e policisë Lezhë. Trupi i 62-vjeçarit ka ardhur pa shenja jete dhe jo ashtu siç raporton policia që ka vdekur në duart e mjekëve. Një fakt i tillë vërtetohet edhe nga kartela e të ndjerit”, bën të ditur spitali.

62-vjeçari që ishte me pushime u mbyt pasditen e sotme ndërsa lahej në det në Shëngjin.

INFORMACIONI ZYRTAR I POLICISË LEZHË
Më datë 09.08.2018, rreth orës 13:25, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” në Shëngjin, është rrezikuar të mbytet në det shtetasi E.J. 62 vjeç, banues në Kosovë, i cili pasi është nxjerrë nga uji, është transportuar në Spitalin Rajonal Lezhë në gjendje të rëndë shëndetësore, ku më pas ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb