Bashkimi Evropian ka thirrur një takim të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve. Më 19 mars, pritet që të takohet kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç.

Këtë takim e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, emisari amerikan tha se pret që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në këtë takim.

“Duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tani, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që Qeveria është pajtuar të jetë fleksible në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhuri”, ka thënë Escobar.

Po ashtu ai theksoi se ka dëgjuar rrëfimet e qytetarëve serbë të Kosovës, për sfidat me të cilat po përballen nga Rregullorja e re e BQK-së.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i BQK-së nuk do të zhbëhet, por pas takimit të enjten, Escobar tha se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa propozime të tij lidhur me këtë çështje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb