NGA IV KALOCI

Sot për herë të parë, ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plota dy relacione sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme të qershorit dhe nëntorit të vitit 1969, lidhur me ardhjen në Shqipëri të grupeve të ndryshme me turistë të huaj nga Europa. Këto dy materiale sekrete janë të përpiluara respektivisht nga Feçor Shehu, asokohe zv.ministër i Brendshëm dhe Drejtor i Drejtorisë I në Sigurimin e Shtetit, dhe vetë ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili ia dërgon këtë informacion posaçërisht Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Hysni Kapo, në lidhje në lidhje me këto vizita. Përgjatë viteve të diktaturës komuniste, Shqipëria do të vizitohej nga disa mijëra turistë, të ardhur kryesisht nga vendet e Bllokut Lindor dhe nga ato të ashtuquajtura vendet e paangazhuara.

Pas ndërprerjes përfundimtare të marrëdhënieve politiko-ekonomike të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 si dhe pas daljes ‘de jure’ të saj nga Traktati i Varshavës, Shqipëria do të vizitohej edhe nga grupe të ndryshme turistike të ardhura nga Europa Perëndimore. Por regjimi komunist i Enver Hoxhës, shpeshherë do t’i shihte të gjithë turistët që do të vinin në Shqipëri me një sy mosbesimi dhe paranoje, sepse i frikësohej gjithmonë e më tepër çdo depërtimi të mundshëm të rrjeteve të Shërbimeve Inteligjente nga Traktati i Varshavës dhe NATO-s. Për këtë arsye, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe konkretisht në vetë institucionin e Sigurimit të Shtetit, do të krijohej Dega e posaçme e gjurmimit dhe përpunimit të turistëve të huaj që do të vinin në Shqipëri, e cila ndër vite do të drejtohej nga disa nga emrat më në zë të MPBsë, si Vaskë Koleci, Kadri Hazbiu, Zoi Themeli, Dhimitër Bonata etj.

Nëpërmjet kësaj Dege, Sigurimi i Shtetit do të survejonte dhe kontrollonte vazhdimisht të gjithë turistët anglezë, gjermanë, francezë, italianë, çekë dhe polakë, të cilët do të përbënin edhe pjesën dërrmuese të atyre vizitorëve që do të vinin në territorin shqiptar në 47 vite të regjimit komunist. Një pjesë e tyre do të mbanin qëndrim dashamirës ndaj regjimit komunist shqiptar, ndërsa pjesa tjetër do të shprehte pakënaqësinë e vet në lidhje me natyrën represive të këtij regjimi dhe gjendjen e keqe ekonomike të atyre viteve. Të shumta do të ishin rastet të cilat shumë nga këta turistë do të arrestoheshin nga shoqëruesit e Sigurimit të Shtetit, dhe pas konfiskimit të aparateve dhe materialeve të tyre fotografike, ata do të shpalleshin ‘non grata’ dhe brenda 24 orëve do të dëboheshin nga Shqipëria me pretekstin e zhvillimit të spiunazhit në favor të vendeve të tyre. Këto relacione në fjalë shpjegojnë qartë karakterin e imtësishëm të informacioneve sekrete që MPB-ja dispononte për të gjithë pjesëtarët e grupeve të turistëve që vinin asokohe në territorin shqiptar.

TEPER SEKRET EKZE. Nr 2 Tiranë, më 10.6.1969 MBI TURISTET E HUAJ TE ARDHUR NE VENDIN TONE GJATE KETIJ VITI
Gjatë këtij viti në vendin tonë kanë ardhur rreth 8.000 turistë të huaj. Nga korrespondenca që kanë zhvilluar këta me të afërmit e tyre si dhe nga bisedat e bëra me njerëzit tanë, rezulton se disa prej tyre kanë folur mirë për vendin tonë. Kështu p.sh.: Një grup turistësh austriakë janë shprehur: “Ne kemi vizituar mjaft vende të ashtuquajtura socialiste, si Poloni, Hungari etj., por vetëm Shqipëria është vend me të vërtetë socialist…” Dy turistë gjermanë kanë thënë: “Sa ka bërë Partia e Punës e Shqipërisë për popullin shqiptar gjatë këtyre 25 vjetëve të Çlirimit, nuk ka bërë asnjë Parti tjetër për popullin e vet.” Turistja italiane: Kam mbetur shumë e entuziazmuar nga Partia e Punës. “Në Jugosllavi na kanë folur keq për vendin tuaj, por është poshtërsi e madhe që të flasësh keq për një vend burrëror si ky i juaji…”.

Një turiste italiane i dorëzon një letër shoqëruesit tonë, ku ndërmjet të tjerash i shkruante: “Të dashur shokë shqiptarë, kam ardhur në vendin tuaj me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë dhe kam mbetur shumë e entuziazmuar nga puna që është bërë gjatë këtyre vjetëve nën udhëheqjen e Partisë dhe udhëheqësit të madh, shokut Enver Hoxha. Ju sjell përshëndetje një shoqe italiane, që shikon me bindje shpirtin e pamposhtur dhe kurajën tuaj me një admirim të thellë. Rroftë populli heroik shqiptar, rroftë Partia e madhe e Punës, rroftë shoku Enver Hoxha!” Duke komentuar marrëdhënien tonë me Republikën Popullore të Kinës, një grup turistësh gjermanoperëndimorë dhe francezë kanë thënë: “Ju keni një mik të madh, popullin kinez, që ju ndihmon në mënyrë internacionaliste.” Mjaft turistë të tjerë thonë që në orët e para të qëndrimit në vendin tonë: “Ne po bindemi se Shqipëria nuk është ashtu siç na kanë folur, këtë realitet ne do t’ia themi popullit tonë porsa të kthehemi…”

Një polemikë dhe luftë e vërtetë është hapur edhe në shtypin suedez, midis atyre që shtrembërojnë me qëllim rezultatin dhe atyre që e paraqesin drejt atë. Gazetarja suedeze, Inga-Lill Valftridson, në një artikull të gjatë për Shqipërinë të botuar në “TINGSINGAL”, ndër të tjera shkruante: “Qëllimi i këtij artikulli nuk është që të detyrojë gazetat borgjeze që të shkruajnë artikuj të mirë për Shqipërinë socialiste, se kjo do të ishte e pamundur, por të theksojë nevojën e një informacioni më të drejtë mbi Shqipërinë…” Një grup turistësh suedezë, kur po largoheshin nga vendi ynë janë shprehur: “Ne mësuam shumë nga Shqipëria, jemi të qartë tani për artikujt që shkruajnë disa gazetarë suedezë, të cilët mundohen ta paraqesin të zezë realitetin shqiptar. Na takon neve që të paraqesim të vërtetën mbi Shqipërinë, si është ajo, si ecën në ndërtimin e socializmit të vendit. Ne kemi mësuar shumë mbi vendin tuaj, nga puna e madhe ndërtimtare e popullit tuaj, nga edukata dhe veshja e thjeshtë e rinisë suaj…”

Letra e Feçor Shehut: Një pjesë e turistëve kanë thënë, ‘Shqipëria, Kina e vogël e Europës’ Po përveç rasteve pozitive, ka edhe shumë prej tyre që kanë shkruar dhe folur keq për vendin tonë, duke falsifikuar realitetin. Kështu p.sh.: “Shqipëria, Kina e vogël e Europës, turistët nuk marrin kontakt me popullin, ata i gjuajnë me gurë. Këtu sundojnë fukarallëku dhe injoranca, kudo ndihet influenca kineze….” Ndërsa disa të tjerë shkruajnë: “Kryeqyteti shqiptar është vend mjaft i mbyllur, njerëzit këtu janë mjaft të këqij, na shikojnë si kafshë kurioze dhe të egra, imagjinoje një vend injorant nga e gjithë bota dhe në fund të botës. Me gjithë vapën e madhe, këtu na detyrojnë të veshim pantallona sipër rrobave, nuk na lejojnë të zbulojmë këmbët. Në vitrinat e magazinave nuk kanë asgjë, vetëm fotografi dhe propagandë, çdo gjë është demode, ambalazhi dhe prodhimet janë të një cilësie shumë të keqe.

Nga të gjitha anët shikohen kinezë. Janë prishur kishat dhe xhamitë, nuk ka mbetur asgjë interesante për t’u parë….” Kurse një grup tjetër turistësh francezë shkruajnë: “Kujtime të bukura nga Shqipëria, ku mjekra na u hoq dhe flokët na u qethën, fustanet e shkurtra, pantallonat e ngushta dhe mjekrat, janë të ndaluara.” Dokumenti i Sigurimit: Gjermanët thonë, “kudo në vend ka parulla politike” Ndërsa turistët gjermanë komentojnë: “Në këtë vend dominon fukarallëku që nuk ta merr mendja, populli është veshur shumë keq, gratë janë me rroba të gjata dhe pjesërisht me ferexhe, kudo ka vetëm parulla politike, njerëzit na duken të trishtuar, mjeti kryesisht i komunikacionit në Shqipëri, janë biçikletat dhe mushkat, këtu janë mërzitur mjaft, ndoshta nga makinat kineze dhe kinezët….” Në letrën e tij, një turist zviceran shkruan: “Shumë përshëndetje nga paradhoma (salloni) i Kinës. Ky është një vend tërheqës, vepron tamam sipas stilit komunist të Maos. Shqipëria është vend i bukur, por i varfër. Kujtimet më të mira nga ky vend primitiv dhe i varfër….”

DREJTORI I DREJTORISE I FEÇOR SHEHU …………………………………
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME EKZE. Nr 1.
DREJTORIA E PARE E përkohshme, 2 vjet DEGA III Tiranë, më 5.11.1969 NR.I Prot. 285
Lënda: Mbi të huajt, jodiplomatë, që vijnë në R.P të Shqipërisë dhe disa mendime mbi këtë problem SHOKUT HYSNI KAPO SEKRETAR I KOMITETIT QENDROR TE PP TE SHQIPERISE TIRANE

Si rezultat i vazhdimit me ritme të shpejta të industrializimit të vendit dhe intensifikimit të Bujqësisë, nga viti në vit, po rritet, si në shtrirje ashtu edhe në volum, tregtia jonë e jashtme. Tregtarë dhe specialistë për makineritë që tregtohen, vijnë në Republikën Popullore të Shqipërisë nga dhjetëra vende të botës dhe numri i tyre çdo vit vjen duke u rritur. Gjatë dy vjetëve 1967-1968, kanë ardhur 1.603 tregtarë dhe specialistë të huaj si dhe 1.567 shoferë. Kurse vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit në vazhdim, kanë ardhur 580 tregtarë dhe specialistë të huaj.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb