Një 31-vjeçar është arrestuar në Kolonjë të Lushnjës, pasi u kap me doza heroine dhe kokaine të ndara dhe të gatshme për shitje, në afërsi të një shkolle të mesme.
Policia bën me dije se arrestimi i shtetasit me inicialet Medjon Sulko (Karamani), banues në Kolonjë, u krye në kuadër të operacionit të koduar “Kontigjenti”, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar në koordinim me Prokurorinë. Sipas autoriteteve, 31-vjeçari ishte arrestuar edhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kokainë, të cilat dyshohet se do të shiteshin. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, policia konstatoi se 31-vjeçari posedonte një automjet tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 50 mijë euro. Automjeti është sekuestruar, pasi dyshohet se është përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
