MAQEDONI- Pas ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Maqedonisë ku protestuesit e dhunshëm kanë sulmuar disa deputetë dhe gazetarë, kanë shkruar edhe mediat botërore. Shumica e mediave ndërkombëtare kanë raportuar se e gjithë dhuna është shkaktuar sepse një shqiptar u zgjodh në krye të Kuvendit të Maqedonisë. “Washington Post” thekson se protestuesit vërshuan në Parlamentin e Maqedonisë sepse u votua kryetari i ri i Kuvendit,  i cili është shqiptar.  Ndërsa gazeta britanike “Daily Mail” shkruan se situata është mjaft e tensionuar. Ndërsa, titulli i “The Atlantic” është: Çfarë po ndodh në Maqedoni?, duke theksuar që protestuesit kanë hyrë në parlament pasi kishin zgjedhur një politikan shqiptar si kryetar kuvendi.
Edhe të tjera media, si “Finance Times” shkruan që persona të maskuar kanë hyrë në parlament dhe kanë sulmuar anëtarët e parlamentit, thekson që është lënduar Zoran Zaev dhe një tjetër i lënduar seriozisht. Që të gjitha shkruajnë për reagimet e Johannes Hahn dhe të ambasadorëve të jashtëm në Maqedoni. “Reuters” raporton përmes një dëshmitari i cili kishte parë protestuesit nacionalistë të nevrikosur për zgjedhjen e Xhaferit duke rrahur një anëtar të parlamentit. Xhama të thyer në tokë dhe shenja gjaku kishte parë dëshmitari në korridore, shkruan “Reuters”.

(i.ç/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb