Nga: ZONJA VJOLLCA
800 gr mëlçi viçi
800 gr qepë të thata
Vaj ulliri
Kripë, piper i zi
2-3 lgj uthull ose verë
Sherebel
Fillimisht qërojmë qepët dhe pasi i presim në ½ fillojmë dhe i presim në feta me trashësi 2-3 milimetra të trashë. Vendosim qepët në një tas, shtojmë në të 4 lugë vaj ulliri dhe vendosim tasin në mikrovalë për 5 minuta. Nëse nuk kemi mikrovalë mund të vazhdojmë në një tigan në temperaturë mesatare me qëllim që qepëve të mos u japim ngjyrë. Në një tigan tjetër ngrohim pak vaj dhe vendosim fetat e mëdha të mëlçive për t’i skuqur. Sapo mëlçitë të ndryshojnë ngjyrë i largojmë dhe në dërrasën e punës i presim ato në copa mesatare. I rregullojmë me kripë dhe bashkojmë në një tigan qepët me melçitë duke i trazuar dhe duke patur kujdes që të mos thahen, provojmë shijen për ta rregulluar me kripë, piper të zi dhe i kaurdisim vazhdimisht. Në fund pasi qepa të jetë gatuar e servirim të shoqëruar me polentë ose pure. Mëlçitë dhe qepën e spërkasim dhe me pak vaj ulliri të freskët dhe sherebel.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)
