Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, qetësoi qytetarët lidhur me panikun e krijuar ditët e fundit nga sëmundja e meningjitit, që i mori jetën policit 27-vjeçar dhe dyshohet se ka shënuar edhe dy viktima të tjera.

E ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, zv.ministrja deklaroi se nuk ka vend për panik, pasi nuk kemi të bëjmë me një epidemi, por është një situatë e zakonshme e stinës.

“Në lidhje me panikun e meningjitit, është vërtet një sëmundje e rëndë, por është e zakonshme, që haset nëpër spitale, sidomos në këtë periudhë. Absolutisht fare që nuk mund të flasim për epidemi, madje këtë vit ka pasur më pak raste. Nuk ka fare vend për panik, është një situatë e zakonshme, që ndodh të paktën në 20 vite që e ndjekim ne.

S’ka vend për panik dhe epidemi, e them këtë me shumë përgjegjësi. Po të hysh në detaje, do thosha le të fokusohemi më mirë te gjërat e mira, si psh, që nga 1 janari nuk do kenë më nevojë të shkojnë nëpër zyra për dokumente, pasi çdo gjë është online. Nuk do ketë më nevojë tani për qytetarët, të shkojnë e të kërkojnë dokumente, pasi është detyrë e shtetit, që t’i marrë ato. Më mirë është që qytetarët të merren me këto gjëra të mira, që ua lehtësojnë jetën, se sa të merren me përralla, se meningjiti është një gjë e zakonshme”, tha zv.ministrja Rakacolli.

Pjesë nga intervista:
A janë të kënaqur mjekët?
Gjithmonë prioriteti është që të kënaqen qytetarët. Nuk mund të themi që në çdo fushë ofrohet më e mira, por po punohet për ta arritur këtë. Në fund të vitit 2021, do të mbarojë edhe Spitali i sëmundjeve të brendshme, krah Kirurgjisë. Gjithashtu, po bëhen spitale dhe investime edhe në qytete të ndryshme, dhe të gjitha këto i bëjnë mjekët të kënaqen. Është rritur niveli i kënaqësisë së mjekut në vendin e punës. Sa i takon shërbimit të Urgjencës, jo çdo njeri që shkon në spital dhe e quan veten me urgjencë, është në të vërtetë për urgjencë. Urgjencës përherë i shërbehet në kohë.

Ka denoncime se nuk janë paguar rrogat te QSUT?
Të gjitha rrogat janë të paguara, të tërë mjekët i kanë rrogat e tyre në bankë. I gjithë personeli shëndetësor i ka rrogat në banka. Pyesni personelin dhe është kollaj. Të gjithë janë të paguar.

Si do të punohet në Spitalin e ri të Kirurgjisë? A ka mungesa te mjekët?
Jo, në Kirurgjinë e QSUT, e them me shumë përgjegjësi, nuk ka absolutisht asnjë mungesë mjekësh për të bërë ndërhyrjet kirurgjikale. Ata punojnë aq sa është kodi i punës dhe më pas kanë shërbimet roje, që janë të paguara. Profesioni i mjekëve ka të detyruar shërbimin 24 orësh. Kjo është puna e mjekut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb