Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar sërish qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.

Para mediave, Kurti tha se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë. “Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.
Kujtojmë se Komisioni Evropian ka vlerësuar që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi ishte shtyrë.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi pritej të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, për të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës. Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: