FRANCE-(Ne perditesim) Ka marrë fund pasditen e sotme terrori dhe ankthi që përfshiu Francën prej tre ditësh. Forcat speciale franceze kanë vrarë dy vëllezërit franko-algjerianë Cherif dhe Said Kouachi, autorët e masakrës në redaksinë e gazetës satirike, “Charlie Hedbo” ku u ekzekutuan 9 gazetarë dhe 3 punonjës policie. Mijëra policë dhe ushtarë të mbështetur nga helikopterët rrethuan shtypshkronjën në Dammartin- en-Goele, ku fshiheshin dy vëllezërit franko-algjerianë, dhe pasi vranë dy atentatorët, arritën të shpëtonin personin që ata mbanin peng. Në zonë u dëgjuan të shtëna dhe shpërthime të fuqishme, ndërsa mediat flasin për 5 policë të plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Rrethimi i vëllezërve Kouachi zgjati orë të tëra, ndërsa në operacion u angazhuan 88 mijë agjentë, 20 mijë prej të cilëve forca speciale.

Ndërkohë që zhvillohej operacioni i policisë në Dammartin- en-Goele, ku u vranë dy atentatorët, një tjetër operacion blic u krye në supermarketin ku shtetasi i identifikuar si  Amedy Coulibaly mbante peng disa persona, duke kërkuar që të liroheshin vëllezërit Kouachi. Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, policia vrau pengmarrësin, ndërsa autoritetet konfirmuan vdekjen e 4 pengjeve. Ndërkohë nuk dihet ende fati i vajzës me emrin, Hayat Boumeddiene, që ka ndihmuar pengmarrësin në supermarketin në Paris. Sipas CNN, vajza ka arritur të arratiset nga marketi. Amedy Coulibaly ishte identifikuar si autori i vrasjes së polices bashkiake një ditë më parë në Paris, ndërsa kërkonte që të liroheshin dy vëllezërit Kouachi, të cilët ishin rrethuar nga policia në një shtypshkronjë në Dammartin-en-Goele.

PRESIDENTI HOLLANDE KONFIRMON VDEKJEN E 4 PENGJEVE
Presidenti francez, Francois Hollande konfirmoi vdekjen e katër prej pengjeve në supermarketin në Paris. Në një konferencë për shtyp, presidenti Hollande theksoi se atentatorët nuk kanë lidhje me islamin. Ai përgëzoi punën e agjentëve që u përfshinë në operacion, ndërsa bëri apel për unitet dhe solidaritet.

“Franca, edhe pse është e vetëdijshme që i ka bërë ballë sulmeve terroriste, edhe pse di se ajo mund ketë në forcat e sigurisë burra dhe gra të aftë si për nga guximi dhe ashtu dhe nga trimëria, nuk ka përfunduar me kërcënimet. Dëshiroj t’iu bëj thirrje për vigjilencë, bashkim dhe mobilizim”, – deklaroi presidenti Hollande.

OBAMA: SHBA-JA ËSHTË PËRKRAH FRANCËS

Presidenti amerikan, Barack Obama shprehu sot solidaritetin e SHBA-së kundrejt Francës pas sulmeve të kryera nga tre xhihadistë në Paris këto ditët e fundit duke e vënë theksin tek vlerat universale që lidhin dy vendet, siç është liria.
“Dëshiroj që francezët të dinë se SHBA-ja është përkrah tyre sot dhe do të jetë përkrah tyre edhe nesër”, deklaroi Obama gjatë një fjalimi në Knoxville, në Tennessee, pas një vizite në ambasadën franceze në Uashington.

DY OPERACIONE BLIC TE POLICISE FRANCEZE
Pak para orën 16:00, njësitë e elitës të xhandarmërisë vranë Said dhe Cherif Kouachi, të cilët dolën duke qëlluar ndaj tyre nga shtypshkronja ku ndodheshin së bashku me një peng. Një anëtar i forcave të sigurisë është plagosur në operacion”, bënë të ditur burime të sigurisë. Pengu u lirua në gjendje të mirë shëndetësore. Stacionet televizive në vazhdimësi kanë treguar imazhe të shpërthimeve të fuqishme të pasuara nga një tym i bardhë.

Paralelisht, një sulm policor u zhvillua në një supermarket hebre në lindje të Parisit ku një person kishte marrë peng disa persona të tjerë, kanë konstatuar gazetarët.

“Pas disa shpërthimesh, policët kanë hyrë në supermarket. Pengjet kanë mundur të dalin të mbrojtur nga policia”, theksuan gazetarët. Trupat e pesë personave duke përfshirë edhe pengmarrësin e dyshuar, Amedy Coulibaly u gjetën në supermarketin Casher në Paris pas një sulmi policor, bënë të ditur burime policore.

Autoriteteve franceze u është dashur të menaxhojnë një situatë të pazakontë në historinë moderne të vendit.

CHERIF DHE SAÏD KOUACHI NE LISTEN E ZEZE TE SHBA
Cherif dhe Saïd Kouachi, 32 dhe 34 vjeç, ndodheshin që prej disa vitesh në listën e zezë amerikane për terrorizëm dhe se Said Kouachi ishte trajnuar për armët në Jemen në vitin 2011. Sipas burimeve të ndryshme lokale, ai kishte frekuentuar një universitet fondamentalist në Jemen para se të luftonte kundër milicëve shiitë në këtë vend.

Pas një takimi krize në Elysee dhe të nesërmen e një dite zie kombëtare, presidenti francez, François Hollande u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të manifestojnë të dielën, gjatë marshimeve të parashikuara, për të dënuar masakrën kundër Charlie Hebdo dhe të refuzojnë çdo përshkallëzim apo stigmatizim.

Kjo thirrje nuk ka mjaftuar për të rritur polemikat për një prani të mundshme të Frontit Kombëtar (ekstremi i djathtë) në manifestim. Pritur në Elyse ashtu si drejtuesit e tjerë politikë, presidendja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen ka shprehur keqardhje që nuk është ftuar duke verejtur një ndalim për lëvizjen apo përfaqësuesit e saj.

Përfaqësuesit e islamit në Francë u kanë bërë thirrje besimtarëve të dënojnë terrorizmin dhe t’i bashkohen masivisht manifestimit kombëtar të dielën.

ZHVILLIMET GJATE DITES
Ora 17:30 – Në një komunikim me televizionin BFM TV, njëri nga vëllezërit që sulmuan zyrat e “Charlie Hebdo”, Cherif Kouachi deklaroi se sulmi lidhej me Al Qaedan në Jemen.

Ora 16:16 – Shërbimet Sekrete Algjeriane kishin paralajmëruar Francën që në 6 janar për rrezikun e një sulmi terrorist. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni iTele, që i referohet burimeve konfidenciale.

Ora 15:25 – Pas atentatit terrorist në selinë e gazetës satirike “Charlie Hebdo” duket se qëndron Shteti Islamik. Një imam i organizatës xhihadiste deklaroi në Irak se ISIS është përgjegjës për sulmin në Paris. Gazeta “Washington Times” shkruan se imami Abu Saad al-Ansari ka deklaruar se militantët e ISIS do të sulmojnë Britaninë, Amerikën dhe të gjitha vendet që i janë bashkuar koalicionit kundër Shtetit Islamik.

Ora 13:00-Dëshmi vijnë nga zona e rrethuar nga policia ku dy vëllezërit mbajnë peng një shtypshkronjë. Një person kontakton “Didier’ dhe i thotë se ka kontaktuar në mëngjes pa e ditur me terroristët që në Dammartin-en-Goele:

Ai tha se në mëngjes takoi një klient me emrin Michel i cili shoqërohej nga një burrë i armatosur si polic. Por dyshimet lindin për policin sepse pasi shtrënguan duart ai i tha,
“Jam polic, ik, se ne nuk vrasim civilë”. Sipas dëshmitarit, ky mund të ishte një nga terroristët, sepse mori Michel me vete dhe mbylli derën.
“E pashë që kishte dicka të gabuar aty. Ndaj njoftova menjëherë policinë. Në rast se do të ishte polic, nuk do të shprehej se nuk do të vriste civilët. Isha me fat këtë mëngjes, shpëtova paq”, tha dëshmitari.

Ora 12:20-Francezja “Le Monde” ka kontaktuar kryebashkiakun e Othis, i cili ka pohuar se vëllezërit kanë marrë peng 5 persona në shtypshkronjë, përfshirë pronarin, gruan dhe jalin e këtij të fundit si dhe një grafik dizajner.
zona

Ora 12:00-Autorët e masakrës “Charlie Hebdo” thanë se nuk do të vrasin civilë. Kështu pohoi një dëshmitar okular në vendngjarje që shprehet se peng është vetëm një person dhe bëhet fjalë për një femër.
Policia vijon të mbajë të rrethuar zonën.

11:30– “Franca është në shok, jemi ne nje moment te veshtire derisa të ndalen aktorët e akteve terroriste. Një operacion i përmasave të mëdha po zhvillohet për t’i kapur ata”, ka thënë kryetari i Francës, François Hollande para pak çastesh.

Operacion po vazhdon dhe spitalet në afërsi të objektit ku mendohet të jenë fshehur terroristët janë venë në gjendje gatishmëri, njoftojnë medie franceze.

11:05-Dëshmitarë okularë thonë se terroristët e dyshuar kane hyre në një shtypshkronjë duke kanë marrë pengje disa punëtorë që i kanë hasur aty. BBC raporton se po zhvillohen negociata me rrëmbyesit e pengjeve për lirimin e tyre.

Burimet zyrtare policore nuk i kanë konfirmuar këto informacione.

11:00Mediat lokale bëjnë me dije se dy vëllezërit terroristë po mbajnë peng një punonjës të ndërmarrjes, i cili dyshohet se ka mbetur i plagosur. Atentatorët u lokalizuan nga helikopterët e policisë në pyjet në veri-lindje të Parisit, ndërsa policia i ka bërë thirrje banoreve në këtë zonë që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Policia është në ndjekje të vëllezërve Cherif dhe Said Kouachi, përgjegjës të sulmit të së mërkurës ku u shënua një masakër që tronditi gjithë botën.

Terroristët janë arratisur në zonën veri-lindore të Parisit, në fshatin Longpont ku janë pozicionuar dhe kërkimet e qindra forcave speciale bashkë me 5 helikopterë.

10:50-olicia e Parisit ka përgënjeshtruar lajmin se gjatë aksionit janë vrarë dy persona. Por ajo nuk ka përgënjeshtruar të shtënat që kanë ndodhur në ndjekje të të dyshyarve.

10:15- Mediat franceze flasin se 2 policë janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërsa 20 persona janë plagosur

10:05-Mediat franceze raportojnë se dy terroristët janë duke u përgatitur për të rënë “martirë”. Të dyshuarit kanë qenë në listën e zezë amerikane të terrorizmit. Ata e kanë pasur të ndaluar udhëtimin në ShBA.

09:00-Vijon me intensitet operacioni i policisë franceze për kapjen e Cherif dhe Said Kouachi 2 vëllezërve franko-algjerianë, të identifikuar si autorë të masakrës në redaksinë e gazetës satirike, Charlie Hedbo ku mbetën të vrarë 9 gazetarë dhe 3 punonjës policie.Mijëra policë dhe ushtarë të mbështetur nga helikopterët po kërkojnë në një zonë në veri të Parisit për kapjen e të dyshuarve të sulmit në revistën satirike Charlie Hebdo.
Dëshmitarë thonë se kanë dëgjuar të shtëna me armë gjatë këtij aksioni.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: