Kancelari gjerman Friedrich Merz, i mbështetur nga krerët e qeverive të pesë shteteve të tjera kontribuese në Bashkimin Evropian, ka bërë thirrje për shkurtime drastike në kornizën e ardhshme financiare të BE-së, duke e cilësuar propozimin e Komisionit Evropian si krejtësisht të papërballueshëm.

Në një takim konfidencial të zhvilluar në Berlin – ku morën pjesë përfaqësuesit e Danimarkës, Finlandës, Austrisë, Holandës dhe Suedisë – gjashtë shtetet donatore që mbulojnë rreth 40% të buxhetit të BE-së kërkuan që shifra e propozuar të reduktohet me disa qindra miliardë euro.

Merz theksoi se propozimi i Komisionit për një rritje deri në 60% nuk përputhet me realitetin ekonomik, ndërsa solli në vëmendje se këto gjashtë vende sigurojnë gjithashtu 70% të ndihmës dypalëshe për Ukrainën. Sipas tij, në një kohë kur të gjitha shtetet po ndërmarrin masa të dhimbshme shtrënguese, edhe buxheti i Unionit duhet t’i nënshtrohet reformave dhe shkurtimeve në thuajse të gjitha fushat.

Përmes një deklarate të përbashkët, grupi i gjashtë vendeve kërkoi që korniza financiare që hyn në fuqi më 1 janar 2028 të përqendrohet te siguria, sovraniteti, migrimi dhe konkurrueshmëria.

Gjithashtu, shtetet kontribuese hodhën poshtë emetimin e borxhit të ri të përbashkët dhe kërkuan që institucionet e BE-së t’i menaxhojnë detyrat me nivelin ekzistues të personelit. Grupi synon të paraqesë një qëndrim të unifikuar në konsultimet e BE-së që startojnë në tetor, me synim mbylljen e negociatave brenda këtij viti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb