Liderja më e fuqishme në Gjermani dhe në Bashkimin Europian, kancelarja Angela Merkel, viziton nesër Tiranën, në udhëtimin e saj të lamtumirës në Ballkan. Ekspertët e komunikimit gjatë 16 viteve të udhëheqjes kanë komentuar shpesh edhe kodet dhe mesazhet komplekse që përcjell përmes pamjes së saj, më konkretisht ngjyrave të xhaketave që zgjedh të veshë.

Kancelarja Merkel e ndërron ngjyrën e xhaketës në varësi të vendit që viziton, krerëve të shtetit që takon dhe sipas natyrës së bisedave që diskuton me ta.
“Kur ajo vishet me jeshile, kancelarja i kushton një rëndësi të madhe asaj që dëshiron të përcjellë për publikun, shenjë konsensusi, ose zgjedh të përcjellë vendime politike që nuk kanë mbështetje të gjerë në publik”, thotë ekspertja e komunikimit Silvia Regnitter-Prehn.

Vishet me nuanca të jeshiles kur do të shprehi kompetencë të plotë, ngjyrat neutrale i zgjedh për eventet formale brenda Gjermanisë, ndërsa ngjyrat e forta janë rezervuar enkas për takimet ndërkombëtare ose më pak formale se zakonisht. Xhaketat gri i preferon për takimet kokë më kokë, për të barazuar hapësirën vizuale.

Ja dhe një kuriozitet, Merkel vishet me xhaketa blu kur udhëton jashtë vendit. Jep imazhin se është objektive, ka harmoni dhe i jep rëndësi asaj që po bën. Regnitter-Prehn thotë janë këto vlera së e bëjnë të duket se “dikush qëndron ballë lartë për Gjermaninë”. Merkel e preferon ngjyrën rozë dhe portokalli për eventet me qytetarët privatë, për të shprehur kështu optimizëm.

E kuqja është ngjyra e pushtetit, e pasionit dhe energjisë. Ama Merkel kurrë nuk veshi xhaketë të kuqe në negociatat e partisë së saj. Nuk ka si të jetë koincidence, nuk ka dashur të jetë kaq “n ë modë” në mes të konservatorëve apo shumë e mërzitshme për brezin e ri. Ekspertët e komunikimit jo pak janë shprehur se kur kancelarja vishet me të zeza, vendi pritës nuk e ka punën dhe aq mirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb