Nga: Jeton Selimi*

Nëse nuk do të ishte Mesi, futbolli nuk do të ishte kaq i bukur… sepse ‘Mesia’ e futbollit e kthen dramën në happy-end dhe e ngjit Barçën në piedestal. Tri magji të sulmuesit argjentinas kanë vendosur një prej dueleve më të bukura të historisë së Ligës së Kampioneve, me Barcelonën që fitoi 3-0 kundër Bajernit.

Në një ndeshje ku pritej të dominonte Barça, edhe për shkak të mungesave të shumta të Bajernit, shumë gjëra nuk shkuan sipas parashikimeve. Pep Guardiola, i vëzhguari i veçantë i mbrëmjes në kthimin emocional në “Camp Nou”, bëri zgjedhjet e duhura dhe arriti të mbante në ekuilibër sfidën, duke e vënë në vështirësi Barcelonën. Që në fillim, Suarez i vetëm përballë Nojerit, humbi një rast ideal për shënim, ndërsa më pas Levandovski e imitoi, duke gjuajtur jashtë i vetëm me portën.

Më pas, shumë lojë dhe qarkullim topi nga të dyja palët, me Nojerin të jashtëzakonshëm dhe Bajernin që asnjëherë nuk u tërhoq i tëri në mbrojtje, duke e sulmuar Barçan sa herë i jepej shansi. Pjesa e dytë nisi ndryshe, sepse për minuta të tëra Bajerni jo vetëm që ekuilibroi lojën, por edhe arriti të shfaqej frikshëm në zonën vendase, edhe pse u pa qartë se pa Riberi e Roben skuadra bavareze vuan shumë në fazën sulmuese. Pikërisht kur dukej se po afronte fundi dhe po shkohej drejt barazimit pa gola, Mesi ngjitet në “skenë” dhe në minutat 77′ e 80′ shënon dy gola madhështorë, nga ata që vlejnë sa një trofe dhe që mund të jenë vendimtarë në fund.

Megjithatë, kualifikimi ndoshta nuk do të ishte i sigurt, ndaj Barça nuk e uli ritmin dhe sërish Mesi i dhuron një top të artë brazilianit Nejmar dhe ky i fundit mbyll gjithçka, i vetëm me Nojerin. Barcelona ka hedhur një hap gjigant përpara, falë gjeniut të vet, edhe pse ka ende 90 minuta në Mynih.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: