Leo Mesi në një intervistë të gjatë për “El Mundo Deportivo” ka rrëfyer shumë gjëra dhe prekur shumë çështje të këtij sezoni të Barcelonës, përfshirë kontratën e tij, luftën për titull dhe përplasjen me Erik Abidalin.

“E vërteta është që ndihem shkëlqyeshëm. E dua shumë Barcelonën, sikur të ishte Rosario. Është shtëpia ime. Kam qëndruar më shumë kohë këtu sesa në Argjentinë. Më pëlqen Barcelona, është një qytet i mrekullueshëm. Gjithçka varet nga unë dhe kurrë nuk kam menduar të largohem”, shprehet Mesi.

Një nga çështjet më të nxehta padyshim ka qenë përplasja e tij me Erik Abidalin, ish-shokun e skuadrës dhe drejtorin aktual të klubit katalanas. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur që lëshoi ato deklarata, por unë u përgjigja sepse u ndjeva i sulmuar. Më jepte bezdi fakti që një person i klubit kishte futur në valle lojtarët për vendimin e shkarkimit të trajnerit. Duke parë rolin e tij duhet të marrë përsipër vendimet e tij. është ai që merr vendime dhe është kjo ajo që unë kërkova të sqaroj. Nuk mund të lejoja që të më sulmonte në atë mënyrë”.

Ylli argjentinas flet edhe për duelin me Real Madridin sa i takon triumfit final në La Liga. “Qoftë ne, qoftë Reali kemi qenë shumë të parregullt sa u takon rezultateve në këtë sezon duke humbur shumë pikë. Për këtë arsye mendoj se do të luftojmë deri në fund dhe se El Clasico nuk do të përcaktojë asgjë. Sa i takon Championsit, duhet të rritemi ende për të qenë kompetitivë deri në fund”.

Ndërkaq për Lautaron është shprehur: “Kishte gjithçka për t’u bërë një lojtar i madh dhe tashmë ka shpërthyer, po e tregon. Më duket shumë i zoti në driblime, shënon shumë dhe është luftarak. Është spektakolar dhe ngjason shumë me Suarez. Të dy punojnë shumë mirë me trupin për të mbrojtur topin dhe e shikojnë portën si pak të tjerë. Kam luajtur me të te Argjentina dhe ka bërë shumë mirë. Të gjithë lojtarët e mëdhenj dinë si të adaptohen në situatat e reja. Suarez ka eksperiencë të madhe dhe mund të ndihmoj Lautaron të akomodohet me Barcelonën dhe La Liga-n. Por, këto janë vetëm hipoteza”.

Ndërsa për Nejmarin ai ka thënë: “Unë do të doja që Nejmar të kthehej, ai është një nga më të mirët. Një person i gëzuar, gjithmonë i lumtur, kishte argëtim me të brenda dhe jashtë fushës. Ne u përpoqëm ta bindnim atë të qëndronte, por u largua. Ai me të vërtetë dëshiron të kthehet, ai gjithmonë është penduar”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb