E gjithë bota e futbollit është përfshirë në një diskutim të madh, e ndarë në dy kampe. A e meritoi Lionel Messi këtë sezon “Topin e Artë”, në një garë të fortë me Robert Lewandowskin. Ervin Bulku, zëvendës trajneri i Kombëtares, është nga të paktët personazhe që pa pasur luksin ti njoh nga pranë këto dy lojtarë fantastik. Me “pleshtin” është përballur në fushë, në periudhën më të artë të sulmuesit argjentinas, ndërsa Levën e kishte kundërshtarë, si trajner, në kualifikueset e Botërorit.

Bulku ka dhënë votën e tij mbi këtë temë ndërsa në analizën e tij për “Sport News” është ndalur edhe tek ky edicion i Abissnet Superiore. Bulku nuk beson se Tirana është në krizë, për të bardheblutë mbeten ekipi për tu mundur ndërsa shpjegojë edhe krizën që ka mbërthyer Partizanin në këtë fillim sezoni, ku kanë gabuar të kuqtë?

Messi apo Lewandowski për “Topin e Artë” – “Mendoj se është e padrejtë të gjykoj ata që kanë bërë zgjedhjen për “Topin e Artë”. Janë specialistë futbolli dhe sipas mendimit të tyre kanë bërë zgjedhjen. Flasim për dy lojtarë shumë të mirë, të mëdhenj, lojtarë botërorë.

Messi është ndër më të mirët në botë, pastaj a e meritonte apo jo varet nga ata që kanë votuar. Por nuk është e drejtë të krahasojmë dy lojtarë me karakteristika të ndryshme. Ne flasim për Lewandowskin, lojtar i madh, i cili ka shënuar shumë gola në këtë sezon e të tjerë më përpara.

Ndërsa për Messin, është i jashtëzakonshëm dhe kemi pasur fat e kënaqësinë ta shohim. Në futbollin botëror është e rrallë të shohim një futbollist të tillë. Po ta kapim në aspektin e përgjithshëm nuk ka krahasim Messi me askënd, jo vetëm me Lewandowskin.

Lewandowski jo më kot ka shënuar aq shumë gola, në një kampionat si Bundesliga. Edhe me kombëtaren ka treguar vlerat e tij, por kundër nesh në Tiranë, Kumbulla ka ditur ta markojë jashtëzakonisht mirë duke mos e lënë në asnjë moment që të rrezikojë portën tonë.

Messi është një lojtar i jashtëzakonshëm, aty ku nuk e mendon mund të shpikë gjëra të jashtëzakonshme. Është kënaqësi edhe ta shohësh nga televizori, kam qenë me fat që kam luajtur kundër tij, por mendoj se është e kotë që të flasësh për një lojtar që të gjithë mendojnë se është më i miri në botë”.

Kampionati i Tiranës – “Po ta shohësh ecurinë, mendoj se e nisi kampionatin jo shumë mirë, por me kalimin e javëve arriti të merrte vendin e parë. Në dy javët e fundit mendoja se do ta kishin të vështirë ta mundin, por ia doli Kukësi që ka skuadër shumë të mirë që t’i merrte tre pikët në minutat e fundit.

Mendoj se ka ndër skuadrat më të forta në kampionat dhe është pretendenti kryesor për titullin. Mendoj se kemi kaluar vetëm fillimin, por po të shohësh, me kundërshtarët direkt Tirana ka triumfuar me të gjithë, përveç Kukësit. Mendoj se po të fitonte edhe kundër Kukësit, të tjerët do të mendonin vetëm për vendin e dytë dhe Tirana do të vazhdonte drejt titullit”.

Nuk mendoj se ka krizë, duke parë se ndeshja me Dinamon në Kupë lodhja ka bërë të veten, sepse pas tre ditësh u ndeshën me Kukësin, që vinte pas një ndeshje disi më të lehtë se Tirana.

Mendoj se edhe lodhja ka pasur efektin e saj te ndeshja me Kukësin, në Korçë skuadra e Skënderbeut është shumë e mirë, këto ndodhin në futboll. Nuk mendoj se ka krizë, Tirana është ende në vendin e parë e do të luftojë deri në fund për vendin e parë”.

Oferta për të “tradhtuar” Tiranën – “Kam pasur oferta nga skuadra e kryeqytetit, por duke ditur historinë e të kaluarën time, që fëmijë kam luajtur me Tiranën e nuk kam dashur të ndërroj. Besoj se kam bërë mirë se kam fituar gjithçka dhe vazhdoj e them që Tirana është shtëpia ime e dytë dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”.

Kthimi i Dinamos në Superiore – “Rikthimi është një vlerë e shtuar për kampionatin, është shumë e rëndësishme, që tre skuadrat e kryeqytetit të jenë në Superiore se jep vlerë kampionatit se janë derbet kulmi i një kampionati. Ndaj kemi skuadra si Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, Kukësi e Teuta. Po të rikthehen edhe skuadra me histori si Flamurtari e Elbasani, mendoj se do të jetë edhe më i fortë e cilësor kampionati”.

Kriza e Partizanit – “E shoh që mund të ketë gabuar në krijimin e skuadrës se janë larguar shumë lojtarë dhe ka qenë tepër vonë. Lojtarët janë shumë cilësorë, por koha ka qenë e pakët dhe Partizani nuk ka gjetur modulin e nuk kanë patur kohë që të përshtaten lojtarët.

Fitorja e fundit ishte edhe me fat, por ka pak rëndësi se pikët kane vënë në vështirësi Partizanin. Mendoj se është presion psikologjik se janë mes skuadrave me pretendime për trofe. Kur nuk vijnë pikët, skuadra mund të bjerë në presion psikologjik”.

Problemi i Superiores – “Skuadrat nuk ruajnë në asnjë moment ekipet. Të gjithë kampionët në vitet e fundit nuk kanë ruajtur grupin duke e përforcuar që të bëhen edhe më të fortë. Lojtarët janë larguar, disa janë larguar për të ardhme më të mirë, ku skuadrat kanë përfituar financiarisht, që mendoj se është zgjedhje e mirë. Por duhet të mendojnë më shumë që të forcojnë skuadrat e jo të dobësohen, kjo është arsyeja pse nuk përsëriten skuadrat që mbyllin sezonin”.

Lëvizjet e trajnerëve – “Drejtuesit e çdo skuadre duhet t’i japin besim trajnerit. Unë shoh që trajneri Magani ka punuar shumë mirë, ka qenë brenda objektivave, ka eliminuar Kukësin nga Kupa dhe ishte 3 pikë nga Zona UEFA.

Por mendoj që trajnerëve duhet t’u jepet kohë, trajnerit Daja i është dhënë shumë më shumë kohë se të gjithë trajnerëve të tjerë. Martini dha dorëheqjen se ka menduar ndoshta se me ata lojtarë mund të ishte në vende të para, ishte zgjedhje personale:.

Skuadra dhe lojtari surprizë – “Mendoj për mirë më ka befasuar Egnatia se është nga Kategoria e Parë dhe përballet me të fortat e kampionatit shqiptar. Ka bërë shumë mirë jo vetëm te pikët, por edhe me lojë e organizim. Ka krijuar respekt te kundërshtarët ndaj thashë që ishte shkarkim i nxituar.

Për lojtarin mendoj se është herët se është fillimi e duhet edhe pak kohë. Mendoj se Seferi në javët e para ka bërë shumë mirë se ka shënuar, por mbetet për t’u parë në vazhdimësi”, tha Bulku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb