NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton të gjithë të interesuarit se edhe këtë vit do të kenë mundësi të aplikojnë në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Më pas kandidatët që do të aplikojnë do hynë në testimin që pritet të bëhet në dhjetor të këtij vitit, siç u bë testimi për mijëra kandidatë në dhjetor 2014. Edhe pse ekspertët e arsimit, vetë arsimtarët, sindikatat e arsimit, por edhe opozita janë shprehur kundër testimit që u bë në muajin dhjetor të vitit të shkuar, pasi e konsideruan si antiligjor, MAS nuk është tërhequr, por ka njoftuar zyrtarisht se mbetet e vendosur për vijimin e kësaj nisme, edhe se aplikimi në portal do të nisë brenda tetorit. Ndërkohë që sipas burimeve në MAS, në ditët në vijim do të jepen detaje për afatet dhe për mënyrën e regjistrimit.

Nisma&Portali
Ministria e Arsimit nuk ka hequr dorë nga nisma “Mësues për Shqipërinë”, por njofton të gjithë të interesuarit se shumë shpejt do nisin procedurat e regjistrimit. “Njoftohen të gjithë të interesuarit se Ministria e Arsimit dhe Sportit së shpejti do të fillojë procedurat e regjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Çdo individ i interesuar mund të aplikojë në këtë portal dhe menjëherë ai bëhet pjesë e një gare konkurruese, që bazohet në meritokraci reale. Të gjithë kandidatët e interesuar do të gjejnë të gjithë informacionin e kërkuar në rubrikat e këtij portali, i cili do të evidentojë në kohë reale statistika të një procesi në vijim deri në ditën e testimit të këtyre kandidatëve”, njofton Ministria e Arsimit dhe Sportit në faqen zyrtare. Sipas burimeve në Ministrisë së Arsimit, procedurat e aplikimit do të jetë të njëjta me vitin e shkuar. Edhe testimi mësuesve që do të regjistrohet në këtë portal, njësoj si vitin e shkuar, pritet të zhvillohet në muajin dhjetor.

Statistika
Vitin e shkuar në portal sipas MAS kanë aplikuar 8095 kandidatë, ndërkohë që vende vakante u shpallën 2281, ku dominonin vendet vakante për mësues fizkulture me 576 vende, arsim fillor me 440, Matematikë me 276 vende të lira, gjuhë angleze me 232 si dhe arsim parashkollor 175 vende vakante. Numri më i madh i aplikuesve ishte në Tiranë me 1700 aplikime, i dyti u rendit DAR Elbasan me 1200 të regjistruar, si dhe DAR Korçë me 844 mësues që kërkojnë punë. Sipas Ministrisë së Arsimit, gati 90% e mësuesve që aplikuan në portal janë mësues të rinj, pasi janë diplomuar pas vitit 2000 dhe më shumë se gjysma e tyre kanë qenë të gatshëm që të punësohen edhe jashtë vendbanimit të tyre. Në testimin e dhjetorit nga 8 mijë kandidatë që aplikuan, hynë në testim vetëm 5200 prej tyre. Nga rezultatet e provimit vërehet se 42% e kandidatëve nuk kanë arritur të marrin më shumë se 50% të pikëve të testit. Por, edhe ata që e kaluan këtë testim me pikë maksimale sot e kësaj dite vijojnë të jenë të papunë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: